Plazhet publike në Shëngjin, po i leverdisin turistëve

Tashmë është piku i turizmit në Shëngjin. Qytetarë nga vende të ndryshme të botës, por të dominuar nga Kosova, zgjedhin këtë pjesë për të kaluar pushimet verore. Megjithatë, tashmë këta turistë qëndrojnë edhe në plazhet publike të cilat administrohen nga Bashkia e Lezhës. Këto plazhe mund të identifikohen shumë më lehtë përmes tabelave të cilat…

Lajme

13/07/2025 21:55

Tashmë është piku i turizmit në Shëngjin.

Qytetarë nga vende të ndryshme të botës, por të dominuar nga Kosova, zgjedhin këtë pjesë për të kaluar pushimet verore.

Megjithatë, tashmë këta turistë qëndrojnë edhe në plazhet publike të cilat administrohen nga Bashkia e Lezhës.

Këto plazhe mund të identifikohen shumë më lehtë përmes tabelave të cilat janë vendosur.

Të tilla mund të gjesh edhe në zonën e njohur si “Rana e Hedhun”.

Në këto plazhe publike, ka vende ku janë vendosur edhe shezllonë, për të cilët paguhet 5 euro, dhe në pjesën ku turistët mund të marrin çadrat e tyre, nuk kanë nevojë të paguajnë asgjë.

“Ne kemi vendos tabelat, gjatë gjithë rrugës që erdhëm kemi vendosur tabelat që njerëzit ta kuptojnë që ky është një plazh i menaxhuar, që është 5 euro, ose në mënyrë fakultative ti mundesh me vendos çadrën tënde, pra në këtë pjesë mund të vijnë të bëjnë plazh pa pagesë fare”, ka theksuar Besmir Frroku, Administrator i Plazheve Publike.

Këto pamje të bukura në këtë zonë dhe këto çmime të leverdishme që ofron Shëngjini, kanë rënë shumë edhe në sytë dhe veshët e turistëve të huaj, siç është Mia nga Holanda.

“Është hera e parë që vij këtu, kemi arritur dy ditë më parë, jam me dy fëmijët e mi, është shumë bukur këtu, njerëzit janë fantastikë. Në lidhje me këtë pjesë më treguan shokët e mi dhe njerku im, dhe po e shijoj këtë vend si nga pamja ashtu edhe nga energjia”.

Kjo është vetëm njëra nga plazhet publike në këtë zonë, të tilla mund të vërehen gjatë gjithë kohës në tabelat që japin secilin udhëzim.

100 çadra të vendosura nga Bashkia e Lezhës janë edhe në zonën e Shëngjinit, ku fluksi i turistëve kosovarë është më i madh.

Për dallim nga “Rana e Hedhun”, këtu çadrat janë 400 lekë apo 4 euro, për të cilat pagesa Frroku kërkon nga pushuesit që vazhdimisht të kërkojnë kupon fiskal.

“Aktualisht këtu çmimi është 400 lekë. Më duhet të bëj me dije se çdo stacion i Bashkisë së Lezhës ka detyrimisht kuponin tatimor që identifikon se sa është çmimi, të cilët kryesisht vendosen në çadra. Ja, mund ta identifikojmë edhe këtu – ja pra, është 400 lekë”, ka deklaruar Frroku.

Ngjitur me të, është edhe plazhi ku turistët mund të marrin çadrat vetë, dhe nuk kanë nevojë të paguajnë asgjë.

Kurse, njëjtë është edhe në zonën e Kunës – në këtë plazh publik në Shëngjin, turistët më shumë janë vendas dhe nuk paguajnë asgjë për plazhin, meqë është publik. Në këtë zonë ende nuk ka të vendosur shezllonë nga Bashkia.

Kurse, aty ka edhe turistë nga Kosova, që thonë se vendimi për të kthyer këtë pjesë në plazh publik është mëse i qëlluar.

“Vitin e kaluar u kanë të uzurpuara krejt, nuk ka pasur plazh publik, e tash është liruar. Shumë mirë – këtu është pa pagesë. Ne e kemi banesën tonë këtu, nuk po na bie me pagu.”

Ndërkaq, disa plazhe administrohen edhe nga biznese private, në të cilat çmimet e çadrave janë më të larta dhe shkojnë deri në 10 euro. RTV Dukagjini