Planet Policentrike të Mustafës

Isa Mustafa foli sot për Prishtinën policentrike. Por, për këtë i mungojnë paratë. Nëse Qeveria aktuale nuk e mbështet, ai përmend mundësinë që ta marrë vetë Qeverinë, si synim për të punuar edhe për Prishtinën.

Lajme

26/11/2013 12:27

Llogaritë s’po i dalin edhe aq lehtë. Marrja e huasë është e mundshme për realizimin e ndonjë projekti në qytet. Por, edhe kështu duhet të marrë leje nga Ministria e Financave. E nëse s’do të ketë bashkëpunim të realizueshëm me Qeverinë, ai pret realizimin e planit në një mënyrë tjetër. Pasi ta marrë në duar pushtetin qendror.

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga LDK, Isa Mustafa, ka vënë në pah punën 4 vjeçare të tij gjatë mandatit qeverisës të Prishtinës, sot, në një konferencë për media.

Planet e mandatit të ardhshëm janë vështirë të përballueshme për buxhetin lokal të Prishtinës. Por, nëse nuk do të ketë bashkëpunim me këtë Qeveri, ai parasheh që ta marrë vetë pushtetin qendror.

“Gjatë këtyre 4 vjetëve kemi  70 milionë euro të shpenzuara në projekte të rrugëve, trotuareve, e kanaleve, dhe në fund të këtij viti mund të them se mund të arrijmë shumën e 85 milionëve investime në infrastrukturë”.

Viti 2017, kur Mustafa përfundon mandatin e tretë eventual, do ta zë me zhvillim policentrik. Që i bie, 3 qendra kryesore në Prishtinë për zhvillim infrastrukturor.

“Ky zhvillim policentrik kërkon që praktikisht ne të kemi 3 qendra kryesore në Prishtinë, do të thotë të kemi një qendër në sheshin Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Zahir Pajaziti, një pjesë në Prishtinën e re, dhe një qendër në zonën veriore ku edhe po zhvillohemi nga fshati Bardhosh”.

“Pastaj ne jemi orientuar që gjithë infrastrukturën që do ta ndërtojmë më vonë t’ia përshtatim këtij zhvillimi policentrik të qytetit të Prishtinës. Në mënyrë që mos  të kemi një infrastrukturë monocentrike e cila përqendrohet vetëm në një pjesë të qytetit”.

Mustafa ka hartuar një planë me 4 pika kryesore për të cilat planifikon t’i realizojë.

“Projektet kryesore që ne planifikojmë t’i bëjmë janë unazat, sheshi në Platonë e Kurrizit në Dardani, që është projekt i përgatitur dhe fillon në pranverë, Bulevardi i qytetit të vjetër, nënkalimin nën Nënë Terezë”.

Duke folur për të ashtuquajturën ‘unazë e brendshme’ apo qendrore të qytetit, gjatësinë e të cilës e parasheh 26 kilometra, e cila arrin një çmim mbi 100 milion ai këto investime  planifikon që t’i realizoj me ndihmën e buxhetit qendror ose me anë të donacioneve, ose pak më ndryshe.

“Investimet nuk mund t’i bëjmë me buxhetin e komunës së Prishtinës por lypset ose të kemi buxhet qendror që do të na përkrahë, ose të kemi donacione dhe investime tjera përmes cilave ne mund ta bëjmë këtë”.

Për realizimin e këtyre projekteve Isa Mustafa e parasheh edhe hyrjen në kredi që prapë se prapë i duhet leja e Ministrisë së Financave.

“Bashkëpunimin do ta kemi me këtë Qeveri. Ose nëse nuk e bëjmë me këtë Qeveri, presim që ne Qeverinë ta marrim vetë dhe do të kujdesemi më shumë për zhvillimin e tyre”.