Planet e vëllait të Luan Dalipit për tregti me rrymë, Abdixhiku: Na duhet një SPAK, aty ta provojnë fatin – Do ta bëjmë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rastit të aplikimit të kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, këshilltar i Albin Kurtit, për licencë të shitjes së rrymës. Ai ka kritikuar mënyrën që po shpërndahen benefitet publike në vend, duke vënë theksin te favorizimi i familjarëve të pushtetit në subvencione, grante dhe…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rastit të aplikimit të kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, këshilltar i Albin Kurtit, për licencë të shitjes së rrymës.
Ai ka kritikuar mënyrën që po shpërndahen benefitet publike në vend, duke vënë theksin te favorizimi i familjarëve të pushtetit në subvencione, grante dhe në shitblerje të megavatëve.
“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka kërkuar krijimin e një strukture të posaçme kundër korrupsionit, të ngjashme me SPAK-un në Shqipëri, duke thënë se një mekanizëm i tillë është i domosdoshëm për t’i dhënë fund padrejtësive.
“Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!” përfundoi ai.
Theksojmë se deputeti i PDK-së, Ableard Tahiri, ka qenë i pari që ka nxjerrë në publik faktin se vëllai i Luan Dalipit, Dritoni, ka aplikuar për të marrë licencë për tregti me energji elektrike në Kosovë.