Pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje, ende tepër e ulët
Qendra Kosovare për Studime Gjinore, sot organizon konferencën “Përmirësimi i Llogaridhënies Institucionale për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në Vendimmarrje”.
Lajme
Dafina Prekazi, menaxhere e projektit e ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” , tha se qëllimi i kësaj konference është zbatimi i ligjit për barazi gjinore. “Kjo konferencë ka për qëllim të promovojë iniciativën për arritjen e balancës gjinore 50:50 në pozita vendimmarrëse në institucionet publike përmes përmirësimit të llogaridhënies institucionale” tha Prekazi.
Ajo tutje tha se Qendra Kosovare për Studime Gjinore, synon që në këtë konferencë të diskutohet rëndësia e përfaqësimit të barabartë gjinor në procese vendimmarrëse. “Kosova po e krijon traditën e saj në promovimin e barazisë gjinore duke përmirësuar legjislacionin kombëtar për barazi gjinore, por përkundër kësaj të arriture Ligji për Barazi Gjinore që parasheh që të paktën 50% e punëve në sektorin publik në të gjitha nivelet t’i kryejnë gratë nuk po respektohet”, pohoi Prekazi.
Presidenti Hashim Thaçi do të jetë njëri ndër panelistët e kësaj konference, ku gjithashtu pjestarë tjerë të ketij paneli do të jenë Avokati i Popullit, Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka si dhe drejtoresha e Gap-it Nora Latifi- Gashi. Konferenca fillon nga ora 11:00 dhe është e hapur për të gjithë.
Kjo konferencë është pjesë e projektit “Përmirësimi i llogaridhënies për barazinë gjinore në vendimmarrje”, i cili është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).