Petrit Hajdari dorëhiqet nga udhëheqja e PDK-në Drenas: Uroj që pozitën ta marr një figurë e pakorruptuar, përbashkuese dhe jopërçarëse

Petrit Hajdari, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e krytarit të degës së PDK-së në Drenas. Ai ka thënë se kjo degë e PDK-së ka qenë më e fuqishmja e kësaj partie pasi angazhimi ka qenë i përhershëm dhe i përditshëm, shkruan lajmi.net. “Duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me…

Lajme

07/05/2026 12:10

Petrit Hajdari, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e krytarit të degës së PDK-së në Drenas.

Ai ka thënë se kjo degë e PDK-së ka qenë më e fuqishmja e kësaj partie pasi angazhimi ka qenë i përhershëm dhe i përditshëm, shkruan lajmi.net.

“Duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore. E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë. Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë”, ka shkruar Hajdari.

Ai e ka falenderuar ish-kryetarin Memli Krasniqi ndërsa kryetarit Bedri Hamza i ka uruar suksese në zgjedhjet e radhës, ku ka ofruar kontributin dhe angazhimin e tij.

“U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë. Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë. Pozitat nuk kanë qenë kurrë thelbi i rrugës sime; thelbi ka qenë gjithmonë e mira e vendit, sepse vetëm ajo mbetet kur çdo gjë tjetër kalon”, ka shkruar ai.

Hajdari i ka falenderuar qytetarët e Drenasit dhe secilin që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin dhe mbështetjen.

“Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim. Ka qenë nder për mua t’i shërbej vizionit për një Kosovë më të mirë, trashëgimisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit”, ka shtuar Hajdari. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: