Peticionin e Agim Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës për 7 ditë e nënshkruan 16 mijë qytetarë
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka folur gjatë konferencës për media në lidhje me peticionin e iniciuar për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
Lajme
Ju garantoj se qyteti i Mitrovicës do të jetë i bashkuar, ndërsa zyra e kryetarit do të jetë në veri. Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë konferencës për media në lidhje me peticionin e iniciuar për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
Ai nuk precizoi se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij, peticionin për bashkimin e Mitrovicës për vetëm shtatë ditë e kanë nënshkruar 16 mijë e 594 qytetarë, të cilët kërkojnë nga Parlamenti i Kosovës që të njëjtin ta procedojnë tutje për miratim, me qëllim bashkimin e dy komunave, duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai tha se peticioni me nënshkrimin e qytetarëve do të dërgohet brenda javës në Kuvendin e Kosovës, qeverisë dhe presidentit, duke kërkuar ndryshimin e Ligjit 03/L-041 për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të qytetit të Mitrovicës në një komunë.
“Komuna e Mitrovicës jugore në bashkëpunim me qytetarët e saj, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve në të dy komunat, dhe me qëllim të bashkëpunimit, zhvillimit ekonomik, dhe përafrimit të komuniteteve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, kërkojnë veprime konkrete për unifikimin e qytetit”, ka thënë Bahtiri.
Ai, duke mohuar kategorikisht ndarjen e Kosovës përmes lumit Ibër dhe urës kryesore, ka bërë thirrje politikanëve që mos të merren me Mitrovicën si mundësi të pazareve të ndarjes eventuale, sepse siç u shpreh ai, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. /Lajmi.net/