Pesë vjet nga rrëzimi i fluturimit MH17, familjarët kujtojnë viktimat

Të afërm të viktimave të rrëzimit të avionit të pasagjerëve, në vitin 2014 në Ukrainë, shënuan të mërkurën përvjetorin e pestë të tragjedisë.

Bota

17/07/2019 14:45

Dhjetëra familjarë dhe të tjerë u mblodhën pranë aeroportit kryesor të Amsterdamit, ku ndodhet një monument me emrat e të 298 të vrarëve – nga ta 193 holandezë.

Avioni i kompanisë Malaysia Airlines MH17 ka qenë duke fluturuar nga Amsterdami për në Kuala Lampur kur është zhdukur nga radari, mbi lindje të Ukrainës, më 17 korrik, 2014.

Hetuesit ndërkombëtarë kanë fajësuar Rusinë dhe forcat separatiste në lindje të Ukrainës për incidentin.

Ekipi i Përbashkët Hetues, i udhëhequr nga Holanda, ka konstatuar se avioni është rrëzuar me një raketë Buk.

Në qershor të këtij viti, ky ekip ka fajësuar tre rusë dhe një ukrainas.

Në mesin e tyre është edhe Igor Girkin, një kolonel në pension i agjencisë ruse të inteligjencës FSB, por ai i ka hedhur poshtë akuzat.

Të katërtit pritet të nxirren në gjyq për vrasje në Holandë, duke filluar nga marsi, edhe pse të gjithë besohet se janë në Rusi dhe nuk ka gjasa të ekstradohen.

Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje./rel