Pesë çështje para BE-së këtë vjeshtë
Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve. Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme. Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen…

Lajme
Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve.
Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme.
Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës.
Radio Evropa e Lirë sjell pesë çështjet kryesore që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në muajt në vijim.
A do të zhbllokohen asetet e Rusisë?
Mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Që atëherë, ka vazhduar debati i ashpër se çfarë duhet bërë me këto para.
Më 29-30 gusht, ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Danimarkë për një takim joformal të njohur si “Gymnich”, që shpesh shënon hapjen e sesionit të vjeshtës për bllokun.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ky është momenti për të vendosur për fatin e aseteve – duke i cilësuar si një mjet të fuqishëm pazari për të ardhmen, por edhe një burim dilemash ligjore.
Shumë shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut. Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë.
Të tjerë, sidomos shtetet më të mëdha, nuk janë të gatshëm për konfiskim ende. Ata thonë se këto para mund të shërbejnë si kartë negociuese për paqe ose armëpushim, pasi Moska kërkon të rimarrë një pjesë të tyre. Po ashtu, përmendet mundësia që të përdoren si mjet presioni ndaj Kremlinit për bashkëpunim me tribunalin e ri për luftën. Një tjetër opsion është që asetet të mbeten të ngrira për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Banka Qendrore Evropiane ka shprehur frikën se konfiskimi i aseteve mund të dëmtojë reputacionin e euros si monedhë globale dhe të dekurajojë vendet të investojnë në Eurozonë.
Belgjika, ku ndodhet depozita qendrore e sigurisë “Euroclear” – që mban shumicën e këtyre aseteve sovrane – është po ashtu e kujdesshme ndaj veprimeve të njëanshme. Argumenti belg është se asetet e ngrira janë një “mundësi e artë”, pasi fitimet e papritura që ato gjenerojnë, rreth 1-2 miliardë euro çdo tre muaj, shkojnë drejtpërdrejt në arkën e Ukrainës.
A do të ndahen Moldavia dhe Ukraina në rrugën e tyre drejt integrimit në BE?
Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë ecur së bashku në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dyja morën statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe, në fund të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me to.
Shumica e diplomatëve evropianë prisnin që gjysma e parë e këtij viti të sillte hapjen e kapitujve të parë nga 33 sa janë gjithsej, si për Kishinjevin, ashtu edhe për Kievin. Por, Hungaria po e bllokon nisjen e këtyre negociatave, duke pretenduar se Ukraina nuk garanton të drejtat e pakicës hungareze.
Meqë Moldavia dhe Ukraina janë “të lidhura” deri tani në këtë proces, bllokada prek edhe Kishinjevin. Këtë pranverë pati diskutime për t’i ndarë këto dy vende në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të paktën Moldavia të ecte përpara, por nuk u arrit ndonjë konsensus.
Hungaria ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, sidomos pas një referendumi jodetyrues më herët këtë vit, në të cilin 95 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Shumë zyrtarë të BE-së besojnë se ky pozicion nuk do të ndryshojë deri pas zgjedhjeve parlamentare hungareze në prill 2026.
Ndërkohë, Moldavia mban zgjedhje më 28 shtator, ku Qeveria proevropiane kërkon një mandat të ri. Në Bruksel po qarkullojnë zëra se Ukraina dhe mbështetësit e saj kanë pranuar një ndarje të procesit, ku Moldavia do të avanconte e vetme. Një vendim i tillë mund të merret në fillim të shtatorit, për të ndikuar potencialisht në favor të forcave pro BE-së në zgjedhjet moldave.
Çfarë do të bëjë BE-ja për Gjeorgjinë?
Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i dërgoi një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”.
Pak në Bruksel presin që Tbilisi të bëjë lëvizje të mëdha në këto çështje, ndaj mbetet pyetja: si dhe kur do të përgjigjet BE-ja?
Deri më tani nuk ka pasur sanksione ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane apo gjyqtarëve të konsideruar përgjegjës për shënjestrimin e opozitës dhe protestuesve, pasi Hungaria dhe Sllovakia i kanë bllokuar ato – dhe pritet ta bëjnë sërish.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, ka gjasa të mirëprisin një partner në Pragë, me të cilin ndajnë qëndrimet. Ndërkohë, pasi populisti Karol Nawrocki u betua së fundmi si president i Polonisë me pritshmërinë për të bllokuar legjislacionin e kryeministrit më liberal Donald Tusk, në Varshavë po qarkullojnë zëra se Qeveria e tij mund të bjerë, duke hapur rrugën për rikthimin e partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi.
Nga e gjitha kjo po del sërish në pah një Grup i Vishegradit (V4), që ka qëndrime të ngjashme. Ky bllok prej katër vendesh të Evropës Qendrore për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të BE-së. Por, për shkak të dallimeve të fundit politike, V4 kishte mbetur kryesisht një koncept pasiv. Tani, ai mund të rikthehet si një faktor, që duhet ndjekur me vëmendje.
Natyrisht, ende ka dallime – sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë – dhe Varshava vazhdon të jetë disi përjashtim, pasi pritet që Tusk të vazhdojë kursin e tij. Por, nëse Babish rikthehet këtë vjeshtë me një mandat të qartë popullor, atëherë do të kemi tre kryeqytete të Evropës Qendrore me qëndrim skeptik si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Kievit.
Kjo, sigurisht, mund të ndryshojë sërish kur Hungaria të mbajë zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në pranverën e vitit 2026, por në një moment kyç për Evropën, vendet e Vishegradit mund të shndërrohen në një burim surprizash të mëdha për zhvillimet që do të vijnë