“Përzemërsisht nga Beogradi” dhe “Përzemërsisht nga Prishtina” në Panairin e Lajpcigut

Panairi i Lajpcigut, takimi më i rëndësishëm i pranverës për botimet dhe sektorin e medias, tërheq rreth vetes më shumë se 2000 ekspozues, duke u lejuar autorëve, lexuesve dhe shtëpive botuese të takohen, angazhohen dhe të zbulojnë çfarë ka të re në sektorin e medias.

Lajme

14/03/2015 22:15

ATSH raporton se Gjermania është tregu i dytë i librit në botë. Leximi atje, thuhet se konsiderohet sport kombëtar. Nëse hipën në metro ka më shumë gjasa të shohësh koka të zhytura në ndonjë roman sesa në një telefon celular.

Gjermania ka jo një, por dy Panaire Libri në vit, Lajpcigun në pranverë dhe Frankfurtin në vjeshtë. Nga të dy, ai i Lajpcigut duket më popullori. I detyruar të qëndrojë pas atij të Frankfurtit për 40 vite, në Gjermaninë Lindore komuniste, Lajpcigu ka rishpikur veten. Në ditët e sotme, panairi zhvillohet me Festivalin e Letërsisë “Leximet e Lajpcigut”, që paraqet lexime nëpër të gjithë qytetin.

Panairi i Librit në Lajpcig konsiderohet shumë më popullor se homologu i tij në Frankfurt. Vizatimet Manga, takimet dhe shumë produkte falas.

Nuk ka mungesa as nga ana serioze e Panairit të Librit në Lajpcig. Shteti i huaj i nderit ishte Izraeli. Fituese e “Çmimi i Librit për Kuptimin Europian” ishte autorja rumune post-moderne, Mircea Cartarescu.

Për një industri me gjasa në krizë, nuk kishte problem në mbushjen e katër hollëve gjigante me ekspozues, nga ata më të mëdhenjtë, deri te vendasit dhe specifikët. Nuk ka dyshim që panairet e librave janë një reklamë e mirë për librin e shtypur, si produkt.

Nuk është e rastësishme që botuesit u kushtojnë aq shumë energji kopertinave dhe paraqitjes së përgjithshme. Të gjitha për të ndihmuar një lexues të zgjedhë librin me pamje të parë.

Kosova dhe Serbia vijojnë dialogun letrar të nisur në 2010

Dialogu letrar kosovaro-serb, i nisur në Leipzig në vitin 2010, vijoi këtë vit me Sasha Ilic në diskutimin me Ervine Halilin në Leipzig Buchmesse. “Nuk flas në emër të Beogradit, as të Ministrses së Kulturës serbe. Përfaqësoj skenën alternative serbe dhe udhëtimi im i parë ilegal drejt Prishtinës më befasoi me njerëzit e rinj, me autorët, leximet dhe bisedat letrare dhe kulturore. Kjo është Prishtina që njoh dhe dua, po aq siç njoh Hotel Grand dhe vendin e torturës dhe vendin e fshehtë ku ndodheshin në “99 paramilitarët serbë të Arkanit”.

Sasha Ilic dhe Jeton Neziraj publikuan për herë të parë në gjuhën shqipe dhe serbe antologjinë “Përzemërsisht nga Beogradi” dhe “Përzemërsisht nga Prishtina” me autorë të rinj serbë dhe shqiptarë. Ervine Halili u shpreh se Prishtina që ajo njeh është Prishtina e gjeneratës së re që kërkon të gjejë bashkëpunimin e vërtetë dhe jo moralin fals të një historie me heronj.

Arian Leka në dy veprimtari, për Durrësin dhe Bosnjën

Më 12 dhe 13 mars, shkrimtari Arian Leka mori pjesë në dy veprimtari, që u zhvilluan nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, rrjetit TRADUKI dhe Këshillit të Evropës.

E para ishte një bashkëbisedim me qëllimin shkëmbimin e përvojave mes Lekës dhe autorit gjerman Uwe Rada, “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Leka u fokusua rreth Durrësit, një qyteti tipik shqiptar. U fol për ambiguitetin paradoksal, por edhe ambivalencën e një qyteti, të cilit historia rreth 3000-vjeçare e ka vënë shpesh para sprovave, duke e bërë kryeqytet, kryeqendër dhe provincë njëherazi. Jo rrallë, siç u cituan tekstet e Arian Lekës të botuara në gjermanisht në revistën letrare “Lettre International”, ky qytet ka qenë fillim dhe fund.

Islami dhe Evropa në Leipzig Buchmesse. Mbi përvojat dhe ngjashmëritë. Arian Leka dhe Adisa Basic diskutojnë për Shqipërinë dhe Bosnjën ku bashkëekzistenca fetare është një normalitet. “Do flas vetëm një orë për fenë, ndërsa kam jetuar vetëm një vit me Perëndinë. Ju flet një njeri që nuk e ka jetuar besimin e lirë” u shpreh Leka në panelin “Kafe Europa” . Paneli u moderua nga gazetari i mirënjohur Rudiger Rossig në përkthimin e Anila Shukës.