Përurohet “Shtegu Panorama” në Sofali – një rrugëtim drejt pamjeve më të bukura të Prishtinës!

Dje është përuruar shtegu i ri “Panorama”, një shteg rekreativ prej 3.2 kilometrash që lidh Sofalinë me rrjetin kryesor të shtigjeve të Gërmisë, duke sjellë më shumë hapësira për ecje, vrapim, ciklizëm dhe energji pozitive në natyrë. Ky projekt, i realizuar në bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës, Korporatës Rugove, Klubit Alpin Prishtina dhe subjektit ‘edhe’,…

Lajme

09/10/2025 13:42

Dje është përuruar shtegu i ri “Panorama”, një shteg rekreativ prej 3.2 kilometrash që lidh Sofalinë me rrjetin kryesor të shtigjeve të Gërmisë, duke sjellë më shumë hapësira për ecje, vrapim, ciklizëm dhe energji pozitive në natyrë. Ky projekt, i realizuar në bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës, Korporatës Rugove, Klubit Alpin Prishtina dhe subjektit ‘edhe’, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të zonës së Gollakut si një destinacion tërheqës për rekreacion dhe turizëm të qëndrueshëm.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Drejtori i Marketingut të Ujë Rugove, Defrim Puka, Drejtori i Klubit Alpin Prishtina, Nazmi Hasanramaj, si dhe përfaqësues të subjektit ‘edhe’, bashkë me shumë qytetarë dhe dashamirë të natyrës që e mirëpritën këtë projekt të ri.

Shtegu “Panorama” ndodhet në një lartësi prej qindra metra mbi nivelin e detit, duke ofruar një pamje pitoreske dhe mbresëlënëse mbi të gjithë qytetin e Prishtinës dhe rrethinat e tij. Emri “Panorama” nuk është rastësor, pasi çdo kthesë e këtij rrugëtimi ofron një perspektivë të re, ku natyra, ajri i pastër dhe horizonti i hapur bashkohen në një përvojë unike. Përveç shtigjeve për ecje e vrapim, zona ofron edhe hapësira për ciklizëm malor e rural, vende për piknik, kampim dhe sporte të ndryshme, duke e kthyer këtë vend në një oaz të vërtetë për ata që kërkojnë relaks dhe gjallëri në natyrë.

Ky shteg shpie gjithashtu drejt një zone të pasur arkeologjike, ku ruhen gjurmë të një kështjelle dhe varrezave tumulare ilire. Mbetjet historike të kështjellës, të njohura me emrin “Gradina”, ndodhen rreth 3 kilometra në juglindje të qendrës së Sofalisë, mbi një kodër në lartësi 843 metra mbi nivelin e detit. Në majën e sheshtë të kësaj kodre, në një sipërfaqe prej rreth 1.5 hektarësh, mund të vërehen gjurmë të objekteve ndërtimore në formë gropash dhe ledhesh dheu, që flasin për një vendbanim të lashtë me vlera historike të mëdha. Nga kjo pikë, hapet një pamje që përfshin kështjellat shumë-shtresore të Veletinit, Fushë Kosovën si dhe kështjella e Harilaqit (Aria) dhe Bardhit të Madh, duke e bërë këtë shteg një udhëtim që ndërthur historinë, trashëgiminë kulturore dhe bukurinë natyrore të Prishtinës.

Si një hap konkret drejt zhvillimit të një rrjeti të qëndrueshëm shtigjesh në zonën e Gollakut, ky projekt synon të krijojë një lidhje më të ngushtë midis komunitetit dhe natyrës.

Në dy vitet e ardhshme, planifikohet që i gjithë Gollaku të lidhet përmes shtigjeve të reja, duke ndërtuar një rrjet rekreativ të unifikuar dhe të qasshëm për të gjithe, për vrapim, çiklizëm, ecje etj.