​Përurohet Parku i Erës në Zatriq, investimi kap vlerën e 106 milionë eurove

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Parkut të Erës në Zatriq të Rahovecit, që është një investim ndërkombëtar prej rreth 106 milionë eurosh dhe përbëhet nga 12 turbina ku secila prej tyre ka kapacitet prej 6,1 megavatësh. Parku pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji të pastër në vit. Ky kapacitet…

Lajme

10/09/2026 14:58

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Parkut të Erës në Zatriq të Rahovecit, që është një investim ndërkombëtar prej rreth 106 milionë eurosh dhe përbëhet nga 12 turbina ku secila prej tyre ka kapacitet prej 6,1 megavatësh.

Parku pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji të pastër në vit. Ky kapacitet mund të mbulojë nevojat vjetore të rreth 45 mijë familjeve.

Kurti tha se Kosova ka potencial të madh për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Sipas tij, Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë përmes investimeve në këtë sektor.

“Këtu në Zatriq sot po shënojmë një hap të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Republikës së Kosovës, një të ardhme në të cilën energjia prodhohet gjithnjë e më shumë nga burime të pastra”, tha Kurti, sipas një njoftimi të qeverisë.

Ai theksoi se projekti ndikon edhe në forcimin e sigurisë energjetike të vendit.

“Çdo megavat-orë e energjisë së pastër që prodhohet këtu është një hap drejt një Kosove më pak të varur nga burimet e kufizuara dhe më të ekspozuara ndaj krizave të jashtme të energjisë”, shtoi shefi në detyrë i qeverisë.

Kurti tha se diversifikimi i burimeve është çështje e politikës energjetike, sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike.

“Projekti është dëshmi se kur institucionet publike, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë punojnë së bashku, mund të realizojmë projekte të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në vendin tonë”, deklaroi Kurti.

Ai përmendi edhe nisjen e ndërtimit të parkut diellor në Kramovik, me kapacitet prej 105 megavatësh. Ky projekt është rezultat i ankandit të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë.

Parku në Zatriq lidhet me rrjetin përmes linjës ndërmjet nënstacioneve të Rahovecit dhe Zatriqit.

Kryeministri në detyrë falënderoi kompaninë EV Ëind Park, Çalık Reneëables dhe Eurokos Holding për bërjen ralitet të këtij parku. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë financiarë ndërsa paralajmëroi përmbylljen e ankandit të Ministrisë së Ekonomisë për ndërtimin e një parku tjetër të madh të erës.