Përurohet një segment i rrugës Vushtrri-Prishtinë, Kurti: Projekt me standarde të larta dhe moderne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë bashkë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Bashën në përurimin e një segmenti të rrugës Vushtrri-Prishtinë. Kurti ka thënë se punimet në këtë projekt kanë përfunduar brenda afatit të plotë 2 vjeçar, e për çka ka thënë se kanë pas dinamik të punës, efikasitet dhe cilësi…

Lajme

19/03/2026 10:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë bashkë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Bashën në përurimin e një segmenti të rrugës Vushtrri-Prishtinë.

Kurti ka thënë se punimet në këtë projekt kanë përfunduar brenda afatit të plotë 2 vjeçar, e për çka ka thënë se kanë pas dinamik të punës, efikasitet dhe cilësi maksimale.

“Ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009 por nuk u përfundua asnjëherë sepse u nis mbrapsht. Ky investim është realizuar në bashkëpunim me Fondin Saudit për Zhvillim dhe Fondin e Opekut për Zhvillim Ndërkombëtar. Projekti është ndërtuar me staandarde të larta dhe moderne dhe si i tillë sjell siguri për të gjithë banorët e zonës, Prishtinën dhe të gjitha komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se projekti ka 9.6 km dhe përfshin ndërtimin e bypassit, si dhe ka të ndërtuara 9 nënkalime, 3 mbi kalime dhe një urë.

“Kjo nënkupton më pak kohë në trafik, më shumë siguri, lidhje të reja që bashkojnë tërë rajonin verior të Kosovës. Qeveria jonë është e siguruar dhe e përkushtuar që të ofroj duke garantuar edhe transparencë dhe llogaridhënie gjithnjë në përfitimin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka dhënë një lajm se në mbledhjen e tretë të Qeverisë kanë marrë vendim për ratifikim nëKuvend të marrëveshjes së kredisë për projektin e rrugës së shpejtësisë së lartë Prishtinë-Mitrovicë.

“Urojmë që sa më parë Kuvendi të zhllokohet që ky projekt të nis sa më parë”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/