“Personalitet madhështor i Kombit” – Qosja me fjalë të mëdha për Kadarenë

Akademik Rexhep Qosja ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Qosja shprehet se mes tij e Kadaresë “kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike” si pasojë e pikëpamjeve të tyrë të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe…

Lajme

01/07/2024 20:02

Akademik Rexhep Qosja ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Qosja shprehet se mes tij e Kadaresë “kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike” si pasojë e pikëpamjeve të tyrë të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.

“Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.

Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, shkruan Qosja.

Tutje, Akademik Qosja thotë,  “Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë”.

“Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore”, shkruan ai.