​Përplasje për nënkryetarët, sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive, me fillim nga ora 10:00, në sallën e seancave. Në rendin e ditës është pika e katërt, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Në seancën e së premtes nuk u votua kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit. Pas kësaj, PDK-ja së bashku me…

Lajme

13/09/2026 08:17

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive, me fillim nga ora 10:00, në sallën e seancave.

Në rendin e ditës është pika e katërt, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në seancën e së premtes nuk u votua kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit. Pas kësaj, PDK-ja së bashku me Aleancën kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, ndërsa kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Të premten, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kanë nevojë për takim sqarues me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në mënyrë që të diskutohet se cili kandidat i PDK-së mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit.

Po këtë ditë, vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre dy herë. Herën e parë u ndërpre pasi PDK-ja lëshoi sallën meqë VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitaku për nënkryetare, anise PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. Hamza më pas deklaroi se nuk kanë më arsye të marrin pjesë në asnjë seancë dhe paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Kurse, Kurti ka thënë se emri i Çitakut nuk mund të votohet pasi ka dalë kundër çdo propozimi të VV-së.

Kurti u shpreh se ky takim është në interesin e Hamzës, meqë sipas tij, është PDK-ja ajo që ka nevojë për votat e LVV-së për zgjedhjen e kandidatit të saj nënkryetar kuvendi, derisa partisë se tij edhe vota kundër i kryen punë për zgjedhjen e presidentit.

Po të premten pasdite, nisi për herë të dytë seanca, ku kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tentoi ta vazhdonte procedurën me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e LDK-së.

Megjithatë, deputetët e LDK-së u larguan nga salla, duke kundërshtuar këtë veprim dhe duke e konsideruar shkelje të procedurës.

Për shkak të këtyre përplasjeve, vazhdimi i seancës së sotme pritet të zhvillohet nën tensione, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë pjesëmarrje të mjaftueshme për të proceduar me zgjedhjen e nënkryetarëve.