Përplasje në Kuvendin e Ferizajt për spitalin indian

Opozita në Kuvendin komunal të Ferizajt dy herë e ka braktisur seancën të mërkurën.

Lajme

05/08/2015 16:15

Opozita ka dalë në momentin kur në votim kanë dalë propozimet për anulimin e vendimit në bazë të së cilit është formuar komisioni për ndarjen e banesave solidare dhe vendimi për dhënien në shfrytëzim të katit të dytë të objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare për nevojat e një spitali indian për trajtimin e sëmundjeve të syrit. Ndonëse këto dy pika kaluan pa votën e opozitës, pika e dytë ka ngjallur një debat të ashpër në mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Fillimisht shefi i grupit kuvendar i PDK-së në kuvend, Gazmend Bytyqi, në paraqitjen e tij ka vë në dukje se lidhur me këtë çështje Kuvendi nuk ka nevojë të merr vendim ngase ekziston rregullorja e cila i jep mandat kryetarit që të zbatojë procedurat për dhënien në shfrytëzim të këtij objekti.

Bytyqi ka thënë me këtë rast se krejt kjo po bëhet se në rast të dështimit të kryetarit, përgjegjësia t’i adresohet kuvendit.

“Ne nuk duhet të marrim këtë përgjegjësi sepse rregullorja e thotë qartë se kjo është kompetencë e kryetarit. Ne jemi për heqjen e kësaj pike dhe nëse del në votim nuk do të marrim pjesë”, ka thënë Bytyqi.

Se duhet t’i ipet shans këtij projekti është shprehur shefi i grupit kuvendar të LDK-së, Muhamet Çerkini, i cili në paraqitjen e tij ka thënë se komuna nuk humbë asgjë edhe nëse dështon ky projekt.

“Mendoj se duhet t’i jepet rasti këtij projekti, ne nuk humbim asgjë”, ka thënë Çerkini.

Më i zëshmi ka qenë këshilltari komunal nga radhët e PDK-së , Mustafë Grainca, i cili është shprehur se debati ka qenë i panevojshëm dhe se ky propozim ka gjeneruar me një zhurmë të panevojshme.”Nuk është dashtë të vijë në këtë gjendje kuvendi, të merr një vendim që është në kompetencë të kryetarit, nuk ka nevojë për duplifikim të vendimeve.Nuk e di se kush e ka sjellë kryetarin në këtë gjendje. Kuvendi e ka sjellë rregulloren, kryetari duhet të veproj sipas saj dhe të procedoj sipas ankandit”, ka thënë Grainca

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi,Burim Karameta, ka thënë se këtu nuk bëhet fjalë për duplifikim të shërbimeve por për një qendër diagnostike të syrit. Ai ka thënë se përfitimet për qytetarët dhe komunën janë të mëdha.

“Në këtë qendër do të trajtohen vetëm ato sëmundje që nuk kanë mundësi të trajtohen tek ne, përfitimet janë të mëdha për qytetarët ngase nuk kanë nevojë që të shpenzojnë për të kërkuar shërim në qendrat tjera jashtë vendit”, ka thënë Karameta, për të shtuar se edhe aspekti ligjor përkon me legjislacionin në fuqi.

Një debat i ngjashëm është zhvilluar edhe gjatë paradites në të cilën kuvendarët janë përfshi në atë se a duhet kuvendi të anuloj një vendim në bazë të së cilit është caktua r një komision për ndarjen e banesave solidare. Opozita është shprehur e vendosur se fillimisht duhet ndryshuar rregullorja në fuqi e tek më pastaj të anulohet vendimi,ndërsa pozita ka thënë se vendimin duhet marrë në bazë të një udhëzimi të ardhë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili rekomandon se si duhet proceduar kjo çështje dhe i cili i jep kryetarit të drejtë të formoj komisionin në fjalë.

Kuvendi në seancën e nisur dje por që u ndërpre në mungesë të kuorumit ka debatuar edhe ecurinë financiare të 6 mujorit të parë të këtij viti.