Përparim Rama: Ndihma e Gjermanisë dështoi për “Pastrimin”, nuk e nënshkroi Hekuran Murati
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ndihma e Qeverisë së Gjermanisë për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ka dështuar. Ky dështim, sipas tij, ka ardhur pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e financimit. “Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqesisht po e…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ndihma e Qeverisë së Gjermanisë për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ka dështuar.
Ky dështim, sipas tij, ka ardhur pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e financimit.
“Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqesisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfË ka njoftuar se granti për “Pastrimin” dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit. Kaq!”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.
Ai ka kritikuar ministrin në detyrë, Hekuran Murati për momnënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan. Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë. Por, qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave.”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se do të gjejnë alternativa tjera.
“Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund. Situata me mbeturinat është e rëndë dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje. Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë. Me urgjencë, në seancën e radhës të Kryeqytetit.”, ka thënë Rama.