Përparim Rama e shpall gjendje emergjente situatën me mbeturinat në Prishtinë
Situata e shkaktuar nga mbeturinat në kryeqytet është bërë shqetësim i madh për qytetarët. Ata në vazhdimësi kanë ankesa për deponitë ilegale të mbeturinave, kundërmimin e infeksionet që po shpërndahen nga hedhja e tyre vend e pa vend. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me…
Lajme
Situata e shkaktuar nga mbeturinat në kryeqytet është bërë shqetësim i madh për qytetarët.
Ata në vazhdimësi kanë ankesa për deponitë ilegale të mbeturinave, kundërmimin e infeksionet që po shpërndahen nga hedhja e tyre vend e pa vend.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me këtë çështje.
Ai e ka shpallur gjendje emergjente situatën e shkaktuar nga mbeturinat.
“Kemi angazhuar kompani private për menaxhim sepse “Pastrimi” s’ka pas kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej që ka ardhur, (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallë do ta vazhdojmë edhe tash”, ka thënë ai.
Në anën tjetër Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se me këtë gjendje janë dërguar sinjale politike.
Sipas tij, opozita në Kuvendin komunal, LVV-ja dhe PDK-ja kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin.
Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës patën fajësuar bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.
Lidhur me angazhimin e privatëve në pastrimin e Prishtinës, punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar gjatë muajit nëntor.
Me anë të kësaj proteste, rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes patën shprehur drojën se mund të mbesin pa punë.
Njoftimi i plotë:
Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave. Një ndër hapat kryesorë ishte përfshirja e Operatorëve Ekonomikë në zonën qendër dhe furnizimi i lokacioneve me kontejnerë të rinj, çka ndikoi në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët.
Duke qenë se ndërmarrja “Pastrimi” vazhdon të përballet me mungesë të mekanizmit të nevojshëm dhe nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet kontraktuale, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka siguruar mekanizëm shtesë për vitin 2025. Konkretisht, janë blerë kamionë të rinj për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe 2,500 kontejnerë të rinj, të cilët ende nuk janë shpërndarë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Po ashtu, është iniciuar procedura e prokurimit për angazhimin e pesë operatorëve privatë në grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me synimin që ndarja e Prishtinës në gjashtë zona të bëjë kryeqytetin ndër më të pastërtit në rajon.
Megjithatë, ndërkohë që po punohej për zbatimin e këtyre reformave, me iniciativën e asamblistit të PDK-së, Leotrim Retkoceri, dhe me mbështetjen e grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, u miratua ndryshimi i rregullores për menaxhimin e mbeturinave. Ky ndryshim i dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për këtë shërbim, duke përjashtuar operatorët privatë dhe duke krijuar një monopol që, siç ishte e qartë për propozuesit dhe votuesit e tij, do të çonte në kaos ambiental dhe në mungesë të shërbimit bazik për qytetarët.
Ditëve të fundit, kemi pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për mungesën e shërbimit me javë të tëra, veçanërisht në sistemin “derë më derë”. Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish.
Për këto arsye, si institucion përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve të kryeqytetit, jemi të detyruar të shpallim sërish gjendjen e jashtëzakonshme. Ky hap është i domosdoshëm për të marrë masat e nevojshme që situata të vihet nën kontroll, duke garantuar pastërtinë dhe shërbimet bazike për qytetarët e Prishtinës./Lajmi.net/