Përleshje në Ukrainë, plagoset kryetari i Bashkisë së Kharkiv-it
Kryetari i Bashkisë së qytetit Kharkiv, në lindje të Ukrainës, Hennadiy Kernes, është në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi është plagosur nga persona të panjohur. Ai u qëllua në shpinë me pushkë automatike, një ditë pas përleshjeve mes rebelëve pro-rusë dhe përkrahësve të Ukrainës së bashkuar.

Bota
Autoritetet ukrainase njoftuan se Kernes u plagos të hënën në mëngjes, dhe se gjendja e tij shëndetësore është shumë kritike.
Të dielën pasdite në Kharkiv, qytet prej një milion e gjysmë banorëve, pati përleshje të mëdha mes rebelëve pro-rusë, të cilët kanë uzurpuar ndërtesat e bashkive të disa qyteteve në rajonin Dontesk, në lindje të Ukrainës, dhe ukrainasve që kundërshtojnë ndarjen e mëtutjeshme të vendit të tyre.
Pas ndarjes së Krimesë dhe bashkimit të saj me Rusinë, situata në Ukrainë është përkeqësuar edhe më tepër, pasi Dontes, rajon ky i populluar 50 për qind me popullatë ruse, po përpiqet të refuzojë kontrollin e autoriteteve qendrore.
Rusia është akuzuar nga Perëndimi se po nxitë prorusët në Dontesk që të shpallin ndarjen e këtij rajoni ashtu sikurse bëri Krimea, por Moska zyrtare ka hedhur poshtë akuzat.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka kërcënuar me luftë Ukrainën nëse trupat ukrainase “prekin” popullatën ruse në Dontesk.
Ndërkohë NATO ka filluar manovrat në vendet e saj anëtare përgjatë kufirit me Rusinë, për t’i dërguar mesazh Kremlinit se nuk do të lejojë cenimin e sigurisë së Evropës.