Përkundër deklaratave, emri i Dimal Bashës ende figuron në punimin që lidh UÇK-në me krimin e organizuar
Kanë kaluar pesë ditë që kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, deklaroi se kishte kërkuar të hiqej emri i tij nga një punim akademik që kriminalizon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, një kërkim i thjeshtë në internet tregon se emri i tij ende figuron si bashkëautor përkrah Jana Arsovskës, në artikullin me titull:…

Lajme
Kanë kaluar pesë ditë që kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, deklaroi se kishte kërkuar të hiqej emri i tij nga një punim akademik që kriminalizon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Por, një kërkim i thjeshtë në internet tregon se emri i tij ende figuron si bashkëautor përkrah Jana Arsovskës, në artikullin me titull: “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances”.
Në deklaratën e dhënë të hënën, Basha tha: “Unë e kam dërguar një email ku kam treguar që edhe vetë autorja e pranon që unë kam përgjegjësi vetëm për kapitullin 3 dhe të tërhiqet edhe kapitulli edhe emri im nga punimi.”
Ai shtoi se kishte kërkuar ndjesë për “pavëmendjen” dhe këmbënguli se nuk kishte qenë në dijeni të përmbajtjes tjetër të punimit, transmeton lajmi.net.
Por përkundër kësaj, publikimi mbetet i pandryshuar – me emrin e tij si bashkëautor të një teksti që ngre akuza serioze ndaj UÇK-së, duke e lidhur me trafik droge, krim të organizuar dhe ekstremizëm.
Pjesë të kontestuara të artikullit përshkruajnë UÇK-në si të financuar nga trafikantë dhe “banditë patriotë”, duke sugjeruar përfshirje të drejtpërdrejtë të organizatës në aktivitete kriminale ndërkombëtare.
Megjithë kërkesën për koment, autorja tjetër e punimit, Jana Arsovska, nuk ka kthyer përgjigje për Nacionale, ndërsa artikulli vazhdon të jetë i aksesueshëm publikisht me emrat e të dyve.
Herën e fundit që Basha u deklarua për këtë temë ishte pas dështimit të një takimi konsultativ në Kuvend, ku kërkoi falje publike dhe pranoi se “duhej të ishte më i kujdesshëm”.
Ai pretendoi se kishte kontribuar vetëm në një kapitull që trajtonte temën e ekstremizmit islamik në Ballkan, dhe se nuk kishte pasur dijeni për përmbajtjen tjetër që kriminalizonte UÇK-në.
“Kurrë nuk do ta kisha pranuar të jem bashkëautor i një artikulli ku UÇK-ja paraqitet në atë mënyrë,” deklaroi ai.
Por, deri tani, as emri i tij dhe as kapitulli në fjalë nuk janë tërhequr. Artikulli mbetet një pikë e nxehtë debati, sidomos në kontekstin politik ku Basha mban pozitën më të lartë legjislative në vend.
Përballë kritikave në rritje, mungesa e veprimeve konkrete për të distancuar emrin e tij nga ky publikim ka ngritur dyshime mbi qëndrimin real të Bashës ndaj temës dhe përgjegjësinë e tij morale dhe politike./lajmi.net/