Përkujtohen dëshmorët e Brigadës 113 së bashku me komandant Mujë Krasniqi në 27-vjetorin e rënies
Në një akademi përkujtimore janë kujtuar sot 41 dëshmorët e kombit nga Brigada 113 e UÇK-së së bashku me komandantin e tyre Mujë Krasniqi, të cilët 27 vjet më parë ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë në kufirin shqiptaro-shqiptar. Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se sot kujtohet vepra e…
Lajme
Në një akademi përkujtimore janë kujtuar sot 41 dëshmorët e kombit nga Brigada 113 e UÇK-së së bashku me komandantin e tyre Mujë Krasniqi, të cilët 27 vjet më parë ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se sot kujtohet vepra e sakrifica e rënies së tyre.
“Sot kujtojmë secilin nga ata të gjithë bashkë me veprën, heroizmin, sakrificën dhe rënien e tyre në altarin e tyre të lirisë sikur na thonë dhe sikur na sugjerojnë se nuk kemi rënë vetëm për lirinë e kësaj pjesë të atdheut, por rënia jonë dhe të gjithë dëshmorëve të kombit përtej kësaj, përtej lirisë kemi rënë për bashkimin kombëtar. Me ne bashkë nuk janë krerët e UÇK-së, por ne çdoherë dhe ata me ne jemi bashkë, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë nga një gjykatë e njëanshme, raciste dhe krejtësisht politike. Urojmë që kjo re e zezë padrejtësisht kësaj pjesë të atdheut të Kosovës sa më shpejt të merret verdikti vendimtar, sepse ata janë të pafajshëm, kanë bërë një luftë të drejtë çlirimtare, andaj lirinë tonë nuk ka gjykatë që mund ta dënoj”, tha Jashari.
Ish-komandanti i Brigadës 113, Hysni Shabani tha se 14 dhjetori është data më e shenjta e luftës se UÇK-së, raporton KosovaPress.
“Ndër datat më të rënda, por më të shenjta të luftë, pa e harruara e ngulitur si një nga gurët më të rëndë të historisë së luftës së UÇK-së. Edhe pas një çerek shekulli mbetet plagë dhe krenari e pashlyeshme, dëshmi e sakrificës titanike, e pa thyeshmërisë, disiplinë e së hekurt, besimit dhe guximit të 41 ushtarëve të udhëhequr nga Mujë Krasniqi. Ishte ditë e egër, e rëndë dhe e dhimbshme, por njëkohësisht ditë që do të mbahet në mend për kodin e luftëtarit, heroizmit dhe vlerat e larta që këta ushtarë kanë dhuruar pas vete si amanet. Ushtarët e UÇK-së i dinin mirë pasojat e luftës, plagë që sjellë dhe barrën që lë pas. Më mirë është të luftosh dhe të biesh për vendin sesa të mbijetosh duke sjellë turp atij”, tha Shabani.
Nënkryetari i AAK-së Daut Haradinaj theksoi se rënia e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij ishte humbja më e madhe e vendit, e cila u shndërrua në forcë dhe kushtrim për UÇK-në.
“Rënia e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve në pritë ishte humbja më e madhe dhe plaga më e rëndë për të gjithë ne. Ishte një dhembje që u ndje por që u shndërruar në shtytje dhe forcë dhe kushtrim për UÇK-në. Kam qenë shumë i bindur se me Mujën në krahë është mision çlirimi i Kosovës, Mujën e kam njohur si trim, luftëtarë, vizionar, njëri i pashoq dhe njeri me shpirt të pathyer me integritet dhe moral të lartë. Ai ishte nga ata që më parë do të vritej se do të linte shokët pas, sepse e dinte që ajo ishte rruga e tij. Ai ra ashtu siç dëshironte duke mbrojtur shokun e luftës, duke mbrojtur bashkë rrugëtarin e tij, duke mbrojtur gjakun ndër shekuj. Sot Muja dhe bashkëluftëtarët e tij janë shtylla e Kosovës së lirë, ata janë në çdo cep të Republikës sonë, në lirinë që jetojmë çdo ditë në shtetin që e ndërtojmë në emrin e tyre. Emri i Mujës është bërë bajrak i Brigadës 113 ku në shumë beteja të përgjakshëm u lartësua figura e tij, e cila u kthye në tmerrin kudër Serbisë”, theksoi Haradinaj.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se nga Pashtriku e familja Jashari lufta u fitua porse ka ende punë pasi që qarqet antishqiptare që historikisht kanë vepruar kundër kombit dhe gjakut shqiptarë janë akoma aktive.
“1998 u skuq Pashtriku nga gjaku i të rinjve luftëtarëve, i komandantit të Brigadës 113. Një ngjarje të cilat ngritën një komb të tërë ishte ajo e familjes Jashari, Adem Jashari me të gjithë të afërmit që kishte po ashtu ngjarja që ngriti në këmbë të tërë ushtrinë çlirimtare, ishte kjo ngjarje që ndodhi në Pashtrik në pritë dhe pabesi një humbje e madhe e UÇK-së, por ama një porosi, një kushtrim e kombit që të gjithë të jemi të mobilizuar që kjo dhimbje na shënohet në forcë dhe fitore, ashtu ndodhi. Lufta u fitua, por kemi edhe shumë punë për të bërë, sepse qarqet antishqiptare që historikisht kanë vepruar kundër kombit dhe gjakut shqiptar, janë akoma aktive. Kjo po shihet në të gjithë proceset e brenda 20 vjetëve që kanë ndodhur, procese që për bazë kanë propagandën e shpifjet që ka bërë Rusia dhe Beogradi politika sllave për zhdukjen e identitetit shqiptar”, u shpreh Ahmeti.
Në fund të kësaj akademie u nda mirënjohje për Ali Ahmetin mbi rolin e tij të rëndësishëm në luftën çlirimtare.