​Përfshirja në listë të LDK-së, ky është qëndrimi i Nismës dhe Listës për Familjen

Nisma Socialdemokrate dhe Lista për Familjen kanë konfirmuar se kanë zhvilluar takime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, lidhur me mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Një ditë pasi LDK bëri të ditur se është e gatshme të hapë një pjesë të listës së saj për subjekte të…

Lajme

25/11/2025 17:42

Nisma Socialdemokrate dhe Lista për Familjen kanë konfirmuar se kanë zhvilluar takime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, lidhur me mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Një ditë pasi LDK bëri të ditur se është e gatshme të hapë një pjesë të listës së saj për subjekte të tjera politike, dy partitë thanë se komunikimet janë intensifikuar, por që ende nuk kanë marrë vendim nëse do të garojnë nën siglën e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme.

Anëtarja e Kryesisë së Nisma Socialdemokrate, Arbëresha Krasniqi, thotë se lideri i partisë, Fatmir Limaj, është duke zhvilluar negociatat me LDK-në, por që ende nuk ka një vendim se do të përfshihen në listën e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ajo është optimiste se Nisma do të jetë pjesë e Kuvendit, madje, siç shton ajo, me më shumë deputetë sesa legjislatura paraprake.

“Nisma i konsideron vlerësimet korrekte prej cilitdo subjekt politik në Kosovë, në këtë rast edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës… Nuk kemi diskutuar ende (në parti). Por është e vërtetë që zotëri Limaj ka diskutuar dhe është takuar shpesh me zotëri Abdixhikun, por diçka konkrete për opinionin nuk ka. Të shohim sesi do të jetë qëndrimi i Nisma-s, por gjithsesi vlerësojmë korrekt nga ana ime për liderin e LDK-së… Nisma gjithsesi do të jetë pjesë e Kuvendit. Madje, unë jam e bindur edhe me më shumë deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, deklaron Krasniqi.

Në anën tjetër, udhëheqësi i koalicionit “Lista për Familjen”, ku është e përfshirë edhe Partia e Drejtësisë, Eman Rrahmani, thotë për KosovaPress se ka pasur takime me shumicën e subjekteve politike për të parë mënyrat e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai deklaron se ka pasur takim, siç e quan konstruktiv, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por që në dy ditët e ardhshme do të vendosin për orientimin e tyre.

“Kemi pasur takime me shumicën e subjekteve politike. Jemi takuar edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Kemi pasur takim shumë konstruktiv, për çka e falënderoj për qasjen dhe komunikimin që e kemi pasur. Besoj se këto dy ditë vetëm kemi u deklaruar rreth bashkëpunimit të mundshëm me subjekte politike… Koalicioni ynë ka të bëjë me parime, vendosjen e pikave programore dhe kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, shton ai për KP.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të hënën tha se një pjesë të listës për kandidat për deputetë do ta hapin edhe për partitë e tjera, përfshirë Nismën e Fatmir Limajt dhe disa partive të tjera më të vogla.

Mirëpo, ai theksoi se LDK nuk do të ketë koalicion formal parazgjedhor me asnjë subjekt politik.

“LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe zotërin Limaj me deputetët e vet. Për këtë çështje do të zhvillojmë bisedime ditëve në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë të tjera. Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në. Ne jemi të hapur për parti, por edhe për individë”, tha ai.

Këto zhvillime, për analistin politik Blerim Canaj, janë të pritshme, mirëpo ka dyshime për formën e bashkëpunimit mes LDK-së dhe Nisma Socialdemokrate.

Ai thotë për KosovaPress se nëse Limaj hyn në listën e LDK-së, i bie që të ketë një lloj shkrirjeje në këtë parti. Sipas tij, më e natyrshme do të ishte që Limaj të shkrihej në ish-partinë e tij, PDK.

Megjithatë, Canaj deklaron se pret që Nisma të bashkëpunojë me LDK-në si koalicion parazgjedhor, pasi siç shton Limaj mund t’ia sigurojë secilës parti 20 mijë vota.

“Më e natyrshme do të ishte që zotëri Limaj të shkrihej në PDK sesa në LDK. Natyrisht se në secilën parti që do të shkonte zotëri Limaj, faktikisht janë diku 20 mijë vota ngritje për atë parti. E kemi parë se zotëri Limaj e ka një votues besnik, sidomos në Malishevë. Unë pres që nëse zotëri Limaj të shkon në LDK, pres që të jetë vetëm një koalicion parazgjedhor si Nisma me LDK-në. Për shkak se një shkrirje me zotërin Limaj do të ishte më e natyrshme me PDK-në… Do të mund të përpiqen që të thonë se jemi në një koalicion, por faktikisht i bie shkrirje, edhe pse pastaj pas zgjedhjeve mund të ketë ndarje”, thekson ai.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më datën 28 dhjetor, pas dëshpërimit për të formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara më 9 shkurt.

Partitë politike kanë afat deri më 30 nëntor për t’i deklaruar koalicionet parazgjedhore në KQZ. Ndërkaq, listat e kandidatëve për deputetë duhet t’i dërgojnë në këtë institucion deri më 7 dhjetor.