Kurti-Erdogan në New York: Në tavolinë aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ftesa për vizitë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York, ku po mbahet Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Kurti ka thënë se Erdoganin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York, ku po mbahet Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kurti ka thënë se Erdoganin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë diplomacinë, fuqizimin ushtarak, industrinë e mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas Kurtit, marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë kanë arritur në vlerën prej 1 miliard dollarësh, ndërsa ai ka përmendur edhe investimet e fundit turke në Kosovë, përfshirë fabrikën e municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.
Në takim, Kurti ka thënë se është diskutuar edhe për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
“Me Presidentin Erdoğan diskutova edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se në takim, së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, është diskutuar edhe për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka përmendur, siç ka shkruar, “diskriminimin e vazhdueshëm dhe sistematik” të shqiptarëve në Serbi, duke iu referuar pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave dhe nënpërfaqësimit në institucionet shtetërore.
Në fund, Kurti ka thënë se Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare, ndërsa ka bërë të ditur se e ka ftuar presidentin Erdoğan për vizitë në Kosovë. /Lajmi.net/