Përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në dialog, mbulim i dështimit të BE-së në këtë proces

Gjermania dhe Franca si shtetet më të fuqishme të BE-së janë duke u angazhuar fuqishëm në procesin e dialogut.

Lajme

09/07/2020 18:50

Insistimi i Gjermanisë dhe Francës që të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, po shihet si mbulim i dështimit të Bashkimit Evropian për vite me radhë në këtë proces.

Njohësi i çështjeve të integrimit evropian, Avni Mazrreku, ka thënë për lajmi.net se, Franca dhe Gjermania që propozim-aktakuzës nga Specialja për presidentin Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, kanë insistuar që të përfshihen në procesin e dialogut për siç tha ai, të kompletuar një hendikep që ka ndodhur pas kësaj komunikate dhe për të qenë pjesë e një procesi i cili para se të publikohej propozim-aktakuza, përkrahej nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.

“ Tendenca dhe qëllimi i tyre (Gjermanisë dhe Francës)  është që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të mos konsiderohet krejtësisht i dështuar  në këtë fazë, por të ketë veprime qoftë edhe jo të kontekstit signifikant politik që ndoshta do të rezultonte në arritjen e një marrëveshje të shpejtë  por së paku të jepte mesazhe  të kontekstit simbolik. Po ashtu dihet se BE për vite të tëra nuk kishte arritur në finale e marrëveshjes pavarësisht që për vite të tëra ky proces ishte ndërmjetësuar nga ana e BE-së.  Edhe në këtë kontekst  BE dëshiron ose është edhe një far qëllimi i ardhjes në skenë prapë të rolit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, mbase Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë  zotëri Borrell por edhe i deleguari i tij, zotëri Lajçak mund të konsiderohen si të dështuar në proces për vetë faktin se politika e jashtme  e Bashkimit Evropian ende nuk  ka unanimitet në kontekstin e vendimmarrjes përkatësisht nuk ka koncenzus brenda vetë anëtarëve të BE-së dhe rrjedhimisht ata janë të hendikepuar dhe nuk kanë qëndrim sa I përket epilogut të këtij procesi”, theksoi ai për lajmi.net.

Ai përfshirjen e Francës dhe Gjermanisë e ka ndarë në dy pozicione, por thotë se, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog nuk do të mund të ketë diçka konkrete.

“Por involvimi dhe roli i Francës dhe Gjermanisë  ka dy dimensione. Dimensioni i parë është në kontekstit simbolik për  Bashkimit Evropian,  e që jep mesazhin se  BE-ja është ende aktive në funksion të gjetjes së zgjidhjeve evropiane për problemet evropiane kur dihet se problemet e Ballkanit në këtë rast problemet midis Kosovës dhe Serbisë janë probleme evropiane (i takojmë kontinentit të Evropës) dhe që të tregohet në njëfarë mënyre prezenca e BE-së në këtë proces.  Por nga  këto takime nuk besoj se do të ketë diçka konkrete në këtë drejtim sepse dihet se që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe rënia e murit të Berlinit, faktor determinues i zgjidhjeve problematike politike jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropën Qendrore dhe Lindore  faktor determinues kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Mazrreku.

Mirëpo, cili do të jetë roli i SHBA-ve në këtë rast?. Mazrreku thotë: “duke e pasur parasysh që në SHBA-të tanimë veç janë në prag të fushatës elektorale, nuk mendojë se asnjë administratë duke e përfshirë edhe administratën e presidentit Trump në këtë rast, nuk e ka të themi kapacitetin të marrjes së mbështetjes nga organet ligjvënëse të SHBA-ve, në këtë rast të Senatit dhe Kongresit që ti qasen  një procesi ose  zgjidhjes së një problemi që është problem shekullor i Ballkanit, e që mund të quhet si zgjidhja e problemit midis serbëve dhe shqiptarëve. Prandaj edhe prej kontekstit të themi të administratës Trump nuk kemi me pa ndonjë intensitet të hapur dhe politik në funksion të përafrimit të palëve përpara përfundimit të zgjedhjeve të nëntorit të SHBA-ve siç ka qenë rasti deri tani me të dërguarin e presidentit Trump, zotëri Grenell. Por të gjitha këto veprime unë i shoh në këtë rast edhe  rolin e kryeministrit  Hotit në  drejtim të mbajtjes gjallë të procesit të themi kushtimisht dhe mendoj se është veprim i qëlluar roli i tij dhe prania e tij që të  marrë pjesë në këto takime”, tha ai.

Sipas Mazrrekut, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga rrëzimi i murit të Berlinit, Bashkimi Evropian nuk ka mundur të zgjidh asnjë problem të tij.

Mazrreku thotë se është koha e fundit që BE-ja të tregojë kapacitetet e saj për zgjidhjen e problemeve evropiane siç problemi midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ashtu siç e thash edhe më parë, këto lëvizje, këto tentativa politike nuk i shoh signifikante të kontekstit politik që  do të rezultonin në afrimin e  palëve  drejt zgjidhjes finale të këtij problemi,  por i shoh më tepër të kontekstit simbolik,  sepse ne e dimë dhe  jemi dëshmitar të kohës që  pas lëvizjeve të zotëri Grenell që pati në hapat që nga dikush edhe janë  kritikuar dhe  quajtur si hapa imponues,  kemi parë një margjinalizim pothuajse total të rolit të Bashkimit Evropian në këtë proces. Prandaj kjo shkon në funksion edhe të neutralizimit të atij margjinalizimi të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe siç e thashë edhe më herët, BE-ja me çdo kusht duhet me dhënë një mesazh qoftë edhe simbolik që për problemet evropiane gjithmonë ka zgjidhje evropiane. Dhe në fund do të duhej të ishte zgjidhja evropiane për problemet evropiane sepse ne i takojmë kontinentit evropian, por fatkeqësisht siç e thamë që nga rrëzimi i murit të Berlinit e deri më sot nuk ka pasur asnjë problem evropian të zgjidhur pa mbështetjen e SHBA-ve. Prandaj politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë  e Bashkimit Evropian do të duhej të shihej nga vetë shtetet anëtare të BE-së si kontekst i përafrimit të mëtutjeshëm sepse siç dihet mirëfilli ata vetë  nuk kanë konsensus në lidhje me politikat e jashtme të sigurisë së BE-së. Prandaj në qoftë se vërtetë Bashkimi Evropian dëshiron të jetë faktor global, ai paraprakisht duhet të tregojë kapacitet për zgjidhjen e problemeve evropiane siç është edhe problemi pothuajse i fundit i hapur dhe i pambyllur, problemi midis Kosovës dhe Serbisë”, ka sqaruar Mazrreku.

Lexo edhe: 

https://lajmi.net/flasin-per-lajmi-net-nga-bundestagu-franca-dhe-gjermani-mbeshtesin-rifillimin-e-dialogut/

Theksojmë se, Kosova dhe Serbia pritet që më 12 korrik të rifillojnë dialogun mirëpo, paraprakisht më 10 korrik do të zhvillohet një “samiti virtual” mes liderëve të Prishtinës dhe Beogradit, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhjeje, dhe sipas njoftimeve zyrtare të deri tanishme ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell. /Lajmi.net/