Përfaqësuesit opozitarë në kafene pajtohen për protestën e ardhshme
Nga një takim, i cili ka përfunduar para disa çastesh, midis përfaqësuesve të tri partive opozitare, Vetëvendosje, AAK e Nisma, është thënë se edhe dy partitë e fundit do ta përkrahin protestën e ardhshme.
Lajme
“AAK edhe Nisma për Kosovën do të jenë edhe në protestën e ardhshme. Për datën e mbajtjes së protestës do t’ju njoftojmë nesër”, ka thënë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas këtij takimi.
Si raporoton TV Rrokum, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se opozita është e gatshme të bashkërendojë veprimet, ndër to edhe protestën.
“Kemi biseduar lidhur me kërkesat e drejta të protestës dhe gatishmërinë tonë që të vazhdojmë me protesta. I ftojmë prej sot qytetarët që t’i bashkohen protestës. Shprehim gatishmërinë që të mos lejohet përdorimi i dhunës”, ka thënë Haradinaj.
Edhe Bilall Sherifi, nga NISMA për Kosovën, tha se janë pajtuar të vazhdojnë bashkëpunimin si opozitë. Ai tha se dhuna në dy protestat e kaluara ka qenë skenar i Qeverisë.
“Ishte një konkluzion i përbashkët që nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona edhe në të ardhmen, dhe nuk do të heqim dorë as nga protesta si mjet për ta realizuar qëllimin”.
“Mendoj që protestuesit asnjëherë nuk kanë dhënë shkas për eskalim të dhunës. Dhuna ka qenë skenar nga qeveria”, ka thënë Sherifi.