Përfaqësuesi i veteranëve: Po bëhet luftë speciale kundër UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës, ose ndryshe Gjykata Speciale, e funksionalizuar plotësisht që nga 5 korriku i vitit 2017, kur ishte miratuar dokumenti për zhvillimin e procedurës penale, veç tash na nisur me ftesat për intervistim të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Lajme

15/12/2018 10:06

Ndonëse nuk është bërë e qartë nëse të ftuarit e deritanishëm janë thirrur në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarëve, pjesa më e madhe e tyre kanë deklaruar se do t’i përgjigjën ftesës së Gjykatës, madje edhe kanë angazhuar avokatë.

Por një mekanizëm që përfaqëson ish-ushtarët e UÇK-së, nuk përjashton mundësinë që ftesa për paraqitje në Hagë të marrin të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj force, pa përjashtim.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë për Ekonomia Online se në Gjykatë Speciale mund të jetë i ftuar secili pjesëtar i UÇK-së, ndërsa ka shtuar se krijimi i kësaj gjykate është qëllim i deputetëve për të ruajtur pozitat e tyre dhe për të siguruar mandate të tjera.

Haradinaj ka shtuat se krijimi i Speciales iu është adresuar vetëm pjesëtarëve të UÇK-së e jo akterëve të tjerë që kanë marrë pjesë në luftë. Ai e ka quajtur raciste ngritjen e kësaj gjykate, ndërsa ka përsëritur se është i sigurt në dështimin e saj.

“Në Dhoma Speciale unë mendoj se ka mundësi të ftohet çdo pjesëtar i UÇK-së, sepse titulli i saj thotë për UÇK-në. Këtë që unë po e shoh deri më tash, unë po them, jo pa qëllim janë duke e bërë këtë. ne duhet me e ditë se në Kosovë por edhe në të gjitha shtetet është duke u bë luftë speciale, sidomos luftë speciale dhe duke e keqpërdorë naivitetin e disa njerëzve, ose pakënaqësitë qoftë ekonomike apo qoftë të fatkeqësive dhe tragjedive në luftë, duke e përdorë për ta demonizuar rolin e UÇK-së, dhe vetë fakti i këtyre ftesave të patitulluara, të paqartësuara lënë që lufta speciale ta kryejë punën dhe të manipulohet shumë se në cilën cilësi është”.

“Organizatat e veteranëve të luftës që me kohë, që prej fillimit ka qenë kundër formimit të kësaj Gjykate. Jo kundër zbulimit të krimeve, nëse ka, por kundër formimit sepse në formën të cilën kjo gjykatë, kjo prokurori është ngritë është thjeshtë raciste. Vetë titulli i saj e konfirmon këtë që po e them unë”.

“Duke marrë parasysh se idetë janë ngritë në Rusi, materialet janë marrë në Beograd dhe ajo çka është më e dëmshmja për shoqërinë tonë dhe turpin e këtyre Qeverie, është ngritja dhe aprovimi nga vetë deputetët tanë, domethënë nga bijtë e bijat e këtij populli, që në një mënyrë ata janë dashtë të jenë të vetëdijshëm, gjithë këtë e kanë bërë për arsye të ruajtjes së kolltuqeve të tyre ose ruajtjes së shancit tjetër për tu kandiduar për deputet”.

“Gjykata, e kam deklaruar dhe e deklaroj edhe sot se ka me qenë e dështuar. Kjo Gjykatë për mu dhe mendimin e organizatave të veteranëve të luftës, kjo gjykatë filloi tash me arsyetuar buxhetet të cilat i ka nda sepse e dini është prolongu dhe ne kemi thënë se do të zhbëhet sepse ka pasë shansin me u ç’bë, sidomos Dhomat, edhe me u zhbë në tërësi ose të paktën Dhomat me u ndryshuar”.

Ai është shprehur optimist për triumfin e pjesëtarëve të UÇK-së nga kjo Gjykatë, kurse ka thënë se nuk kanë pasur nevojë për mbështetje nga Qeveria, nëse këtë do ta paguanin me aprovim të ngritjes së Speciales.

“Qeveria duke arsyetuar se do të japë mbështetje edhe kanë votuar dhe e kanë aprovuar. Problemi është a kemi pasë nevojë me dhënë këtë mbështetje dhe pse me e dhënë kot, por e di fundi fundit do të jetë, çlirimtarët do të dalin prapë triumfues, por më dhimbsen se do të vuajnë individët, ndërsa e keqja është se njerëzit po gabojnë, po nguten, po bien në kurth të luftës speciale që do të bëhet kundër Kosovës”.

Haradinaj është shprehur se do të vazhdojnë të reagojnë brenda rregullave dhe mundësive që kanë, duke mos shkaktuar pasoja në vend.

“Ne vazhdimisht kemi me reaguar dhe reagojmë deri aty ku nuk prishet qetësia e shtetit tonë, sepse ne jemi të betuar që shtetin ta mbrojmë, jo pushtetarët, por shtetin”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë në përgjegjësi hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Në atë raport është thënë se krimet i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së, gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.