“Përdoren ilaçe për kafshët” – Alarmi për mashtrime me trajtime të spektrit të autizmit nga Arianit Sllamniku, aktivizohet Policia dhe Prokuroria
Një hulumtim i realizuar prej kohësh nga gazetarët e lajmi.net nxori në pah një situatë tejet shqetësuese të krijuar në mes shumë prindërve dhe një personazhi në Gjilan. Bëhet fjalë për Arianit Sllamnikun, i cili në shumë raste bënte deklarata të çuditshme që sipas tij shëron problemet shëndetësore, e në mesin e tyre edhe ato…
Lajme
Një hulumtim i realizuar prej kohësh nga gazetarët e lajmi.net nxori në pah një situatë tejet shqetësuese të krijuar në mes shumë prindërve dhe një personazhi në Gjilan.
Bëhet fjalë për Arianit Sllamnikun, i cili në shumë raste bënte deklarata të çuditshme që sipas tij shëron problemet shëndetësore, e në mesin e tyre edhe ato që lidhen me pjesën neurologjike tek fëmijët.
Edhe pse mjekësia e shkenca në botë thotë se të prekurit me spektrin e autizmit duhet trajtuar dhe se s’ka shërim, Sllamniku deklaron se “ai shëron autizmin”.
E krejt kjo situatë u bë edhe më e rëndë kur në fakt doli se Sllamniku përdorë terapi apo thënë qartë barëra të kafshëve, në drejtim të pacientëve.
Ai në fakt u shkruan raportet me këto barna, e me përbërje të tjera- që më pas të njëjtit t’i përdorin ato e të nxjerrin jashtë “parazitët”.
Pas këtyre raportimeve, ka reaguar dje edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shprehur shqetësimin e saj dhe ka bërë thirrje që qytetarët të besojnë vetëm në metoda të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.
Ministria ka njoftuar se ka informuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e rastit.
“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Shqetësim të thellë ka shprehur edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), i cili vlerëson se përhapja e pretendimeve të pabazuara për “shërimin” e autizmit është e rrezikshme dhe devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, si mbështetja profesionale dhe ndërhyrjet e bazuara në evidencë.
Pas raportimit të lajmi.net për trajtime të dyshimta të autizmit, KOMF paralajmëron prindërit
Sipas KOMF-it, këto premtime mashtruese rrisin pritshmëritë joreale, shtojnë stigmatizimin dhe presionin mbi familjet, si dhe krijojnë keqkuptime për nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
Organizata ka kërkuar informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe ndëshkim institucional për çdo manipulim apo mashtrim ndaj fëmijëve.
Ndërkohë, burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se Arianit Sllamniku është intervistuar sot nga autoritetet lidhur me këto raportime.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar se rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe institucionet e tjera.
Pas raportimit të lajmi.net, Policia e Kosovës interviston Arianit Sllamnikun
“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilin keni pyetur, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet tjera përkatëse. Për vazhdimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”, tha ai.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe ka bërë të ditur se do të informojë opinionin për hapat e mëtejshëm lidhur me këtë rast./Lajmi.net/
Pas raportimit të lajmi.net, Policia e Kosovës interviston Arianit Sllamnikun