Përdhunoi shoqen e klasës, 2 vjet burg për 17 vjeçarin

Në Gjykatë në Tiranë më 10 mars ka përfunduar gjykimin ndaj të akuzuarit me iniciale S.K 17 vjeç nën akuzën e përdhunimit.

Lajme

15/03/2015 12:31

I riu është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim, pasi që ai shtatorin e vitit të kaluar kishte dhunuar një të mitur.

Ngjarja ka ndodhur pranë kthesës së Kamzës, në Tiranë. 17-vjeçari u shpall fajtor për akuzën e “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe për “vjedhje” në dëm të bashkëmoshatares së tij dhe u dënua me 3 vjet e 6 muaj heqje lirie.

Ngjarja

Gjimnazistja nga një fshat i kryeqytetit ishte nisur drejt Tiranës për të “festuar” ditën e pushimit. Ditën e ngjarjes, ajo dhe autori i krimit bashkë me shokë të tjerë të klasës nuk bënë mësim në shkollë ndaj vendosën të dalin në Tiranë për t’u argëtuar disa orë.

Pikërisht në zonën e kthesës së Kamzës, minorenia ishte veçuar nga grupi i shokëve dhe shoqeve, pa ditur se do bëhej objekt i një sulmi të dhunshëm seksual.

Kallëzimi i adoleshentes

Sipas vendimit të Gjykatës, në kallëzimin e paraqitur nga e dëmtuara është shpjeguar se në një nga ditët e javës së fundit të shtatorit 2014, rreth orës 08:00 janë vënë në dijeni se nuk do të zhvillonin procesin mësimor për atë ditë. Në këto kushte së bashku me disa shokë e shoqe ata kanë udhëtuar drejt Tiranës.

Pasi kanë zbritur nga furgoni te Kthesa e Kamzës, ajo së bashku me shokun e saj S. K. janë ndarë nga shokët e tjerë dhe janë drejtuar për te rruga që të çon te një bllok pallatesh. I pandehuri i ka thënë minorenes se do të shkonte te motra e tij për të marrë disa dokumente shkolle.

“Pasi kanë vazhduar rrugën S. K. e ka tërhequr me forcë minorenen duke e futur në brendësi të sheshit të pallateve, në një godinë njëkatëshe. Pasi e ka dhunuar e kanosur me anë të një thike, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të”, thuhej në vendimin e Gjykatës, shkruan Shekulli.