“Përçarës” e “populist” cilësohet fjalimi i mbrëmshëm i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje është përballur me kritika nga analistët politikë pas fjalimit të tij gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.   Fjalimi i tij, i cilësuar si “populist” dhe “përçarës”, është kritikuar për mungesën e një bilanci të qartë për katër vitet e fundit…

Lajme

19/12/2024 17:59

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje është përballur me kritika nga analistët politikë pas fjalimit të tij gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Fjalimi i tij, i cilësuar si “populist” dhe “përçarës”, është kritikuar për mungesën e një bilanci të qartë për katër vitet e fundit dhe për tonin polarizues ndaj opozitës dhe kritikëve.

 

Politologu Avdi Smajljaj, në një diskutim në “FIVE” të Dukagjinit, tha se fjalimi i Kurtit reflekton një përpjekje për të mobilizuar emocionin e qytetarëve në mungesë të një platforme konkrete për mandatin e ardhshëm.

 

“Ajo që do përmbledhja nga i tërë takimi i mbrëmshëm i Kurtit në hapje të fushatës dhe në prezantimin e kandidatëve reflekton në një farë mënyre një lloj qasje për të mobilizuar emocionin, sentimentin e qytetarit, në kuptimin e pastër populist. Gjithashtu reflekton mungesën e një lloj platforme të qartë se çka lëvizja Vetëvendosje do të bëjë nëse prapë e fiton edhe një mandat. Në atë fjalim mungoi një lloj bilanci çka ka bërë këto katër vite, se do duhej besoj të informohej simpatizantët e partisë të paktën, çka ka arrit kjo parti për katër vite, cilat kanë qenë sfidat, ku jemi tani dhe në rast se fiton kjo parti ku do jetë Kosova”, ka thënë Smajljaj.

 

Sipas analistit Shemsi Jashari, Kurti i përdori kritikat ndaj kundërshtarëve politikë dhe analistëve si një mënyrë për të shmangur adresimin e arritjeve apo dështimeve të qeverisjes së tij.

 

“Në fjalim bosh që e pati kur prezantoi kandidatët për deputetët ai e bëri atë që e bën më së miri. Goditjen kundërshtarëve politik edhe kur s’ka pas nevojë… Dëgjuam ankesa, arsyetime dhe akuzua. Kur s’ki çka prezanton dhe me çka krenohet duhesh me gjet një formë më nxitë atë militantin atje, me ia marrë votën përsëri. Dhe këtë u mundua ta bëjë zoti Kurti. Është e padrejtë, është ka mundohet me u përplas me partitë rivale me LDK-në dhe PDK-në”, ka thënë Jashari.

 

Smajljaj e quajti të padrejtë krahasimin që Kurti bëri mes Listës Serbe dhe opozitës në Kosovë, duke thënë se një diskurs i tillë polarizues synon ndarjen e shoqërisë në dy blloqe kundërshtare.

 

“Për më tepër përmend edhe numri i votave, ky 500 mijëshi. Që ndodhsha duket pak jo shume e sinqertë sa i përket votuesit sepse është çështje e votuesit sesa vota t’i japin ata. Nuk duhej të parapërcaktohej numri i votave. Dhe gjithashtu thirrja për një lloj dashnie, ose për aq sa i do kryeministri qytetarët dhe votuti që mendoj që për të shprehur dashuri nuk mendoj që është e nevojshme vota. Njeriu mund t’i dojë qytetarët apo të tjerat pa pas nevojë që t’ia marrë votat”, ka theksuar politologu.

 

Jashari gjithashtu kritikoi kryeministrin për përplasjen me partitë rivale, duke shtuar se diskursi publik i tij mbetet polarizues edhe pas katër vitesh qeverisje.

 

“Mirëpo mënyrën qyshe  akne zgjedh më bë fushatën edhe PDK-ja edhe LDK-ja nuk është kah i konvenon Kurtit. Sepse ata po merren me shpalosjen e programit, me ofertën e për qytetarin dhe nuk po futen në grackën e tij, për tu përplasur dhe për t’i tërhequr në nivelin, ku duket se nuk është maturuar si politikan. Ka ardhur më përplasje në pushtet, më një diskurs publik përçarës… e tillë po mbetet edhe pas 4 vjetësh”, ka thënë analisti Shemsi Jashari në FIVE të Dukagjinit”, ka shtuar Jashari.

 

Ndërkohë, në fjalimin e tij, Kurti kritikoi hapur analistët televizivë, duke i akuzuar si “zëri i oligarkisë” dhe duke ironizuar se “po iu lagët fyti”.

 

Ai deklaroi se buxheti i shtetit është në shërbim të qytetarëve, pa dallime, dhe nuk i dedikohet “segmenteve të oligarkisë”.