Për shkeljet e djeshme të marrëveshjes së kufirit nga Serbia do të diskutohet më 28 shtator

Ministrja pa portofol dhe për Dialog me Serbinë , Edita Tahiri tha se për shkeljen e djeshme të Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë takim në Bruksel me 28 shtator.

Lajme

14/09/2015 18:14

Kjo sipas saj po bëhet me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, pas tentimit që u bë nga ana e Beogradit zyrtarë për të manipuluar me zgjedhjet në Medvegjë duke penguar qytetarët shqiptarë që të marrin pjesën në procesin e votimit.

Tahiri duke komentuar ngjarjet e djeshme në pikën kufitare Mutivod, pikë kjo që lidh Kosovën me Medvegjën tha se gjatë tërë ditës ajo kishte qenë në kontakt me Brukselin zyrtar për të zhbllokuar rrugën dhe për të lënë qytetarët shqiptarë të jenë pjesë e procesit zgjedhor në këtë qytet.

Sipas Tahirit dita e djeshme ka qenë një betejë e vazhdueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Edita Tahiri

“Vazhdimisht kam qenë në kontakt me Bashkimin Evropian për ta zhbllokuar këtë situatë, herën e parë është zhbllokuar në orën 11 atëherë kur mora informatë prej policisë së Kosovës që është mbyllur. Pastaj një kohë është mbyllur, pas orës 1 për një kohë, përsëri për një kohë e kemi rihapur. Gjatë pasdites ka shkuar me taktikat e procedurave të ngadalësuara të kontrollit për të vonuar votuesit dhe për ato kam intervenuar në Bruksel dhe janë shpejtuar procedurat, pra ka qenë një betejë e vazhdueshme gjithë ditë. Në njërën anë Serbia duke penguar votuesit shqiptarët që të shkojnë të votojnë në Medvegjë dhe në anën tjetër ne si qeveri e Republikës së Kosovës për ta zhbllokuar situatën për ta ndihmuar shqiptarët që të jenë sa më masovik në ato zgjedhje në Medvegjë me angazhimin e BE-së dhe në fund në pasdite kur mbetet edhe 6 autobus që ende vonoheshin në kalim, përsëri kam intervenuar dhe Brukseli ka mundësuar që të shtyhet edhe orari I votimit prej orës 7- në ora 8 të mbrëmjes, në mënyrë që të gjithë autobusët kaluan në ora gjashtë dhe të gjithë të arrijnë të votojnë”, tha Tahiri përmes telefonit për KosovaPress.

Tahiri theksoi se rezultatet e votimit ndonëse janë preliminare në Medvegjë dëshmojnë se shqiptarët atje kanë fi tuar rreth 22-23 për qind të votave, apo tri ulëse më shumë sesa në mandatin e kaluar. Kjo sipas saj është arritur falë angazhimit të bërë nga ana e Qeveria e Kosovës për të lejuar pjesëmarrjen masive të qytetarëve shqiptarë në këto votime, duke hedhur kështu poshtë edhe pretendimet e kryeministrit serb Aleksander Vuçiq se shqiptarët në Medvegjë nuk do të fitonin më shumë se shtatë për qind të votave nga këto zgjedhje.

Në këtë takim që do të jetë i nivelit teknik, përveç për shkeljen që është bërë dje në pikën kufitare në Mutivod, Tahiri njoftoi se do të diskutohet edhe për heqjen e dokumentit hyrje –dalje, si dhe të tabelave provuese./KP