Për partneritet të privilegjuar të Ballkanit në Bashkimin Europian

Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka komentuar në numrin e së premtes takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Lajme

28/08/2014 23:18

Gazeta shprehet skeptike sa i përket anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE për shkak të shumë konflikteve të hapura.

Si transmeton Koha.net, FAZ shkruan: “Kur e fton dikë ekstra, atëherë bën mirë të shpërndash mesazhe pozitive. Këtij parimi iu përmbajt qeveria federale të enjten. E ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor ‘gjendet në Bashkimin Europian’, tha ministri i ekonomisë Gabriel. Fatmirësisht Gabriel nuk e ndërlidhi këtë me afate kohore konkrete. Në të vërtetë ‘perspektiva europiane’ mund të ketë efekte pozitive në politikën e brendshme të shteteve të tjera. Por, sa shpejt mund të marrë fund kjo e kemi parë në Rumani dhe Bullari, për të cilat sot pothuaj askush nuk thotë se janë pranuar në momentin e duhur në BE. Skepticizmin e shtojnë edhe shumë konflikte mes shteteve të Ballkanit, të cilat BE-ja nëpërmjet anëtarësimit të shpejtë do t’i fuste në shtëpi. Të gjitha këto natyrisht nuk flasin kundër marrëdhënieve të ngushta me rajonin. Ndoshta do të ishte madje mirë që të ringjallet nocioni ‘partneritet i privilegjuar’, i cili është përmendur në kontekst të Turqisë dhe ndërkohë disi ka dalë prej modës. Në aspektin afatgjatë pastaj shumëçka është e mundshme”.