Për një kontroll të zemrës në QKUK, pacientët presin me muaj
Problemet me shëndetin e sollën në QKUK. Por, Xhevat Zeqirajt nuk i shkoi çdo gjë siç e kishte planifikuar. Caktimi i terminit për një kontroll të thjeshtë të zemrës në Ambulancën Specialistike të QKUK, do t’i vonohet për disa muaj. “Mbrëmë kam pas shtypje të lartë të gjakut edhe më kanë bërë EKG më kanë…
Lajme
Problemet me shëndetin e sollën në QKUK. Por, Xhevat Zeqirajt nuk i shkoi çdo gjë siç e kishte planifikuar. Caktimi i terminit për një kontroll të thjeshtë të zemrës në Ambulancën Specialistike të QKUK, do t’i vonohet për disa muaj.
“Mbrëmë kam pas shtypje të lartë të gjakut edhe më kanë bërë EKG më kanë dal disa shifra jo në rregull tek pulsi i zemrës. Kur erdha me marr numrin këtu ma vendosën termin për në maj, ju thash po zemra nuk pret deri në maj, më thanë nuk kemi çka me bë se nuk kemi zbrazëti. Për në maj më la, por i thash le krejt”, tregoi pacienti, Xhevat Zeqiraj.
Zeqiraj thotë se nuk mbanë shpresa që lista e pritjes do të reduktohet.
“Nuk e di Ministria e Shëndetësisë çka mundet me bë këtu, krenohet me punën e vet. Me qetë punë kurrë jo, nuk e di çka bëjnë aty duke u krenuar e kemi bërë këtë e kemi bërë atë s’ka”, tha ai.
Për kontrolle të zemrës po detyrohet të presë me muaj edhe Nuhi Hykolli.
“Në neurologji kesh sot më bëri terminin për mbas një muaji. Tani e kam te i zemrës mbas katër muajve. Po kemi me prit bollë po çka të bëjmë. Shumë e tepërt”, tregoi ai.
Megjithatë, pavarësisht pritjeve të gjata, ai vlerëson pozitivisht shërbimet e stafit shëndetësor në QKUK.
“Shërbimet janë në nivel si në repartin e zemrës, e atë të neurologjisë mirëpo edhe atë të reumatologjisë. Si me na pas babë a nënë, çdo kund ku kemi hi kam kaluar super”.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, listat e pritjes janë problem i përhapur në shumë klinika.
“Listat e pritjes në institucionet spitalore janë kryesisht të gjata sidomos, nëse flasim për radiologjinë, kardiologjinë, ortopedinë, klinikën vaskulare, ka lista të gjata të pritjes. Listat i shkaktojnë disa probleme e para e kufizojnë qasjen e pacientit në shërbime shëndetësore dhe ata zakonisht shkojnë në privat për t’i kryer shërbimet e tyre që nganjëherë zhyten në varfëri për shkak tyre”, tregoi Kodra.
I njëjti, thotë se duhet një menaxhim elektronik i listave të pacienteve.
Për këtë çështje, televizioni ka dërguar pyetje në QKUK mirëpo deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar përgjigje./tëvë1/