Për “Hitlerin” mitrovicas shkruajnë edhe mediat angleze (Foto)

Mitrovicasi Emin Gjinovci, është i njohur në qytetin e tij, por edhe në tërë Kosovën për pamjen e tij karakteristike, që i ngjan ish liderit të Gjermanisë naziste, Adolf Hitler. Por ai së fundi ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Është tabloidi britanik “Daily Mail”, që sot i ka kushtuar një shkrim profilit të pazakontë të kosovarit. 

Lajme

26/12/2014 17:54

Gazeta britanike shkruan se, Gjinovci nga Mitrovica mendon se është “rimishërim” i Adolf Hitlerit. 

Ai sipas kësaj gazete, siguron mirëqenien e tij duke marrë para prej turistëve që kërkojnë të fotografohen me të. Një foto me “Hitlerin” kosovar kushton deri në 60 funta, shkruan Daily Mail. 

Ai kudo që shkon, me vete mban edhe një kopje të autobiografisë së Hitlerit, “Mein Kamph” (Lufta ime). 

Gjinovci ka pesë vajza që i quan “fëmijët e Hitlerit”. Ndërsa në një prononcim për media ka thënë se është i lumtur që i ngjanë udhëheqësit të Gjermanisë naziste, pasi ai ka luftuar kundër serbëve.

“E gjej veten te karakteri i Hitlerit sepse ai ka luftuar kundër armikut tim. Armiku i armikut tim është miku im. Po, serbët janë armiqtë e mi”. 

Gjinovci është kthyer në Kosovë në vitin 1998 nga Gjermania, për të luftuar për ndarje të Kosovës nga Serbia.

Tabloidi britanik shkruan se, nëse Gjinovci do të tentonte të pozonte si Fyrer në Gjermani, do të arrestohej për shkelje të ligjeve të pasluftës që ndalon gjithçka në publik që ndërlidhet me nazizmin. (lajmi.net)