Për herë të parë në Kosovë mbahet Punëtoria Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Agjencia për Informim dhe Privatësi organizon ngjarjen ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nga data 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë, ka filluar…

Lajme

18/11/2025 08:42

Agjencia për Informim dhe Privatësi organizon ngjarjen ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nga data 17 deri më 19 nëntor 2025, në Prishtinë, ka filluar punimet ngjarja ndërkombëtare  European Case Handling Workshop 2025 (ECHW) – Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

“Ngjarja ndërkombëtare European Case Handling Workshop 2025 – Puntoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale (ECHW 2025), mbledh rreth 70 pjesëmarrës të autoriteteve ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga 23 shtete  evropiane: Austria, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu,  Irlanda, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Kroacia  Suedia,  Zvicrra, Guernsey, Hungaria, Turqia, Mbretëria  e Bashkuar, Kroacia, Çekia, Estonia,  Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

Organizimit të Agjencisë do t’i bashkohen gjashtë Komisionerë, udhëheqës të autoriteteve vendimmarrëse për mbrojtjen e të dhënave personale që do të jenë edhe folës në hapjen e punimeve të European Case Handling Workshop 2025. Hapja e punimeve të konferencës do të bëhet nga Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermanku për  të vazhduar me fjalimin e z. Zdravko Vukić, Nënkryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtor i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AZOP), z. Mirosław Wróblewski, President i Zyrës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Polonisë (UODO), z. Brent Homan, Komisioner i Zyrës së Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave të Guernseyt (ODPA), z. Recep Keskin, Komisioner i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Turqisë (KVVK)  dhe z. Gwendal Le Grand, Zëvendës Shef i Sekretariatit të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB)”,thuhet në njoftimin për media.

Ngjarja e  organizuar me karakter ndërkombëtar, do të fokusohet në  diskutimet për sfidat dhe zhvillimet aktuale në fushën e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave në epokën e transformimit digjital dhe zhvillimin të inteligjencës artificiale, ndërsa do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave, koordinimin institucional dhe avancimin e bashkëpunimit evropian dhe adresimin e sfidave për mbrojtjen e të dhënave personale në qeverisjen digjitale.

Organizimi ndërkombëtar i European Case Handling Workshop 2025,  shënon një arritje të rëndësishme për shtetin e Kosovës në kuptimin e  përkushtimit institucional dhe prezantimit të  progresit të arritur në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe rrjedhimisht reflekton forcimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

European Case Handling Workshop 2025, mbledh  ekspertë dhe autoritete  vendimmarrëse në nivel Evropian për të  adresuar tema që po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale, si – Kamerat inteligjente dhe të dhënat biometrike në hapësira publike, Deepfake dhe përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale- Të dhënat e fëmijëve në platformat digjitale dhe lojërat online- Data scraping dhe përdorimi i të dhënave të qasshme publikisht- Mbrojtja e të dhënave në bashkëpunimin ndërkufitar- Përpunimi i të dhënave shëndetësore në epokën e digjitalizimit.

Ndër të tjera, European Case Handling Workshop 2025,  ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve evropiane të mbrojtjes së të dhënave, shkëmbimin i praktikave më të mira për trajtimin e rasteve, hetimeve dhe ankesave, diskutimin e çështjeve mbi mbikëqyrjen, transparencën, koordinimin dhe zbatimin e GDPR ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.