Për herë të parë, mjekët në QKUK kanë kryer një operacion të ndërlikuar të bypass-it vaskular
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, është kryer një operacion shumë i rrallë, për herë të parë në vend, i njohur si Bypass aorto-bifemoral me graft vaskular “Dacron”. Operacioni që zgjati 5 orë u realizua për një pacient 48-vjeçar që vuante nga një sëmundje aterosklerotike e aortës abdominale, duke…

Lajme
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, është kryer një operacion shumë i rrallë, për herë të parë në vend, i njohur si Bypass aorto-bifemoral me graft vaskular “Dacron”.
Operacioni që zgjati 5 orë u realizua për një pacient 48-vjeçar që vuante nga një sëmundje aterosklerotike e aortës abdominale, duke përfshirë edhe një anomali shumë të rrallë të venës kava inferior të dyfishtë (duplicated inferior vena cava – DIVC), e cila prek vetëm 0.05% të rasteve.
Kjo anomali e ka bërë procedurën shumë më të vështirë, pasi pozita e veçantë e enëve të gjakut kërkonte një përgatitje të kujdesshme për të arritur deri te aorta dhe vena cava.
Intervenimi, është realizuar nga një ekip i kualifikuar mjekësor, i udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Lulzim Vokrri, dhe përfshinte gjithashtu Dr. Hajriz Rudari, Dr. Ramë Gashani, Dr. Albion Haxhijaha dhe Antigona instrumentare, ndërsa anestezionin e ka udhëhequr Dr. Flora Marashi.
Ekzaminimet pas operacionit konfirmuan se gjithçka ka shkuar sipas planit dhe pacienti është në gjendje të shkëlqyer pas 10 ditësh hospitalizim.
Operacioni i suksesshëm përfshiu përdorimin e graftit vaskular sintetik “Dacron” në formë “Y”, për të krijuar një bypass nga aorta abdominale deri në arteriet femorale, duke mundësuar kështu rrjedhjen normale të gjakut në këmbë.