Në reagim më tej thuhet se qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.
“Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirë të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve”, thuhet në reagim.
Instituti Kombëtar jep këto rekomandime:
- Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
- Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.
- Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijesohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve, të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
- Angazhimi i mas-medieve në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
- Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion, duke organizuar orë edukativo-arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
- Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
- Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor.
- Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi.
- Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
- Inspektimi rigoroz i auto-shkollave dhe kritereve për marrjen e patentë shoferëve.
- Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.
Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundërvajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.
Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme. /Lajmi.net/