Për fundvit, policia shton prezencën e saj në rrugë

Policia e Kosovës, përmes një deklarate për media, ka apeluar te qytetarët që për këto ditë të fundvitit të kenë kujdes të shtuar, si në komunikacion ashtu edhe në përdorimin e mjeteve piroteknike.

Lajme

22/12/2014 17:34

Policia njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet për përmbylljen e këtij viti, duke përgatitur planin operativ “Fund – viti 2014”, për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës.

“Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Po ashtu, pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në trafikun rrugor, si dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve ku do të mbahen organizime festive.

Me qëllim të parandalimit të incidenteve të mundshme, Policia apelon te të gjithë qytetarët që të respektojnë dispozitat ligjore në lëmit e komunikacionit rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’i përmbahen kushteve në rrugë, si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

“Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse e fishekzjarrët, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda”.

Në fund, Policia e Kosovës zotohet se do të ndërmerr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fundvitit.