Për dy tentim-vrasje, Agim Hoti u dënua me 11.5 vjet burg
Për dy vrasje të mbetura në tentatiovë dhe armëmbajtje pa leje, Agim Hoti është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim. Ai akuzohej se në bashkëkryerje me katër persona të tjerë, në vitin 2007 ka tentuar të vret Anton Berishën, i cili asokohe ishte drejtor i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit.

Lajme
Për të njëjtat vepra Agim Hoti qe dënuar me 14 vjet e 6 muaj burg, në një proces gjyqësor ku akuzohej për dy tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, bashkë me Agron Haradinajn, Mentor Qelën, Driton Spahiun dhe Artan Nimanin.
Pas ankesës së mbrojtjes së tij në Gjykatën Supreme, lënda e Hotit është kthyer në rigjykim, ndërsa vendimi për katër të tjerët është bërë i ekzekutueshëm.
Supremja kishte kërkuar ekzaminim psikiatrik të Hotit, ndërsa kjo ekspertizë ishte përpiluar më 1 dhjetor 2014.
Seanca e parë e rigjykimit ishte mbajtur më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kurse në të kryetarja e trupit gjykues duke treguar se kishte pranuar ekspertizën psikiatrike të Hotit, bëri me dije se në ekspertizë thuhej se në kohën e sulmeve kundër Anton Berishës aftësia mendore e Hotit ishte esencialisht e zvogëluar, raporton Kallxo.com.
Prokuroria ngarkonte Agim Hotin dhe 4 persona të tjerë se më 28 shkurt dhe me 12 prill të vitit 2007 kishin tentuar ta vrasin Anton Berishën.
Në seancën e 20 shkurtit 2015, Hoti kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej, duke shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur.
Në fjalën përfundimtare të prokurorit, të mbajtur pesë ditë më vonë, më 25 shkurt 2015, prokurori pranimin e fajësisë dhe keqardhjen e të akuzuarit e mori si rrethanë lehtësuese, ndërsa si rrethana rënduese përmendi kryerjen tri veprave penale në bashkëkryerje.
“Dënimin unik 11 vjet e 6 muaj mbrojtja e konsideron si shumë të ashpër në krahasim me rrethanat lehtësuese që gjenden në anën e të akuzuarit. Veprat penale i ka kryer në gjendje psikike esencialisht të zvogëluar, se e pranoi në tërësi fajësinë, u pendu thellësisht për krimet e bëra… Gjykata themelore nuk i ka vlerësuar sa duhet dhe ne do të ankohemi kundër këtij aktgjykimi,” tha Hoti për Kallxo.com.