Për disa seanca me radhë bisedon me deputetë të VV-së, por Hasani thotë se qëndrimi i tij nuk ndryshon

Për të 23-ën herë me radhë deputetët u mblodhën në sallën e Kuvendit për të tentuar t’i japin epilogun që duhet këtij zhvillimi politik e institucional. Pavarësisht kësaj, edhe seanca e 23-të dështoi. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari bëri thirrje për partitë politike që të propozojnë emrat e tyre për komisionin për votim të fshehtë.…

Lajme

29/05/2025 16:25

Për të 23-ën herë me radhë deputetët u mblodhën në sallën e Kuvendit për të tentuar t’i japin epilogun që duhet këtij zhvillimi politik e institucional.

Pavarësisht kësaj, edhe seanca e 23-të dështoi.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari bëri thirrje për partitë politike që të propozojnë emrat e tyre për komisionin për votim të fshehtë.

Nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma sërish nuk propozuan askënd dhe votimi dështoi pasi nuk mori votat e mjaftueshme.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka vazhduar edhe sot takimet e tij me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas seancës së sotme që nuk u arrit asgjë, deputeti Hasani u pa ulur me dy deputetët e VV-së, Shqipe Selimin dhe Arben Vitinë që po bisedonin.

Ndërkaq, në një prononcim sot për Lajmi.net deputeti, Nait Hasani tha se qëndrimi i tij nuk ndryshon pavarësisht takimeve që ai bën me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qëndrimi im nuk ndryshon”, u shpreh Hasani për lajmi.net.

Kujtojmë se para dy ditësh, Hasani u pa duke biseduar edhe me Agim Bahtiri poashtu deputet i VV-së.

Arsyetimi i Hasanit pas bisedës me Bahtirin ishte se njiheshin prej kohësh.

“Njihem qëmoti me të ”, tha Hasani.

Të mos harrojmë se deputeti i PDK-së u takua edhe me Albulena Haxhiun të hënën e 19-të majit, pas përfundimit të seancës dhe pas këtij takimi arsyetimi i tij ishte se bisedë kishte të bënte me përkujtimin e masakrës së Dubravës.

“Me Haxhiun jemi taku për përkujtimin e maskarës së Dubravës”, tha ai.

Bisedat e Hasanit pas seancës me Haxhiu i kishte komentuar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ku tha se “asnjë milimetër nga qëndrimet e partisë nuk lëviz askush i PDK-së”.

“Asnjë milimetër nga qëndrimet e partisë nuk lëviz askush i PDK-së”, u shpreh Krasniqi.

“Pyetje e kotë, megjithëse respektin, sepse asnjë deputet i PDK-së nuk lëviz asnjë milimetër nga qëndrimet e partisë. VV dëshiron të krijojë narracione të përçarjes. Ne këtu jemi me i përfaqësu qëndrimet politike tona, dhe vendimet që i kemi marrë në organet e partisë. S’ka të bëjë veç me zonjën Haxhiu, por me krejt anëtarët e qeverisë – s’kemi votë për asnjë nga ish-ministrat dhe zv/ministrat”, tha Memli Krasniqi.

Kështu me 55 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim nuk kishte kuorum dhe seanca u shty për 31 maj në ora 10:30. /Lajmi.net/