“Për 3 muaj u importuan rreth 169 milionë litra naftë”- Qytetarët e “varfëruar” nga janari në mars paguan mbi 87 milionë euro taksa për naftën
Kosova vazhdon të paguajë shtrenjtë varësinë nga derivatet e naftës. Shifrat zyrtare të siguruara nga Dogana e Kosovës për lajmi.net zbulojnë një realitet që qindra miliona euro dalin çdo vit nga xhepat e qytetarëve pikërisht për derivate, ndërsa një pjesë enorme e tyre përfundon në buxhetin e shtetit përmes taksave. Sipas të dhënave, vetëm gjatë…
Lajme
Kosova vazhdon të paguajë shtrenjtë varësinë nga derivatet e naftës. Shifrat zyrtare të siguruara nga Dogana e Kosovës për lajmi.net zbulojnë një realitet që qindra miliona euro dalin çdo vit nga xhepat e qytetarëve pikërisht për derivate, ndërsa një pjesë enorme e tyre përfundon në buxhetin e shtetit përmes taksave.
Sipas të dhënave, vetëm gjatë vitit 2025 janë importuar rreth 878 milionë litra naftë, me një vlerë prej afro 478 milionë eurosh. Por ajo që bie më shumë në sy është pesha e taksave, pra mbi 310 milionë euro janë mbledhur nga akciza dhe rreth 140 milionë euro nga TVSh-ja.
Në total, qytetarët dhe bizneset në Kosovë kanë paguar mbi 450 milionë euro taksa vetëm për naftën, një shumë që afrohet me gjysmën e vlerës së përgjithshme të importit.
Benzina nuk mbetet prapa
Edhe benzina ka ndjekur të njëjtin trend. Gjatë vitit 2025 janë importuar mbi 100 milionë litra benzinë, me një vlerë rreth 51 milionë euro.
Nga kjo shumë, mbi 38 milionë euro janë paguar akcizë dhe rreth 16 milionë euro TVSh, duke e çuar totalin e taksave në mbi 54 milionë euro.
Kjo do të thotë se për çdo litër karburanti të konsumuar, një pjesë e konsiderueshme e çmimit shkon direkt në arkën e shtetit.
2026 nis me ritëm edhe më të lartë
Të dhënat e siguruara nga Dogana e Kosovës për lajmi.net, për vitin 2026 tregojnë se trendi jo vetëm që vazhdon, por në disa aspekte edhe përshpejtohet.
Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti (janar-mars), janë importuar rreth 169 milionë litra naftë, me një vlerë që kalon 101 milionë euro.
Nga kjo shumë:
Për mbi 58 milionë euro janë paguar akcizë
Rreth 28 milionë euro janë TVSh
Pra, në vetëm tre muaj, qytetarët kanë paguar mbi 87 milionë euro taksa për naftën.
Në anën tjetër, importi i benzinës për të njëjtën periudhë ka arritur në afro 18 milionë litra, me një vlerë prej rreth 9 milionë eurosh.
Edhe këtu, pjesa më e madhe janë taksa:
-Mbi 6.7 milionë euro akcizë
-Rreth 2.8 milionë euro TVSh

Krahasimi në fakt nënkupton edhe faktin se u “dogjën” më shumë para për thuajse të njëjtën sasi
Kur krahasohen tre muajt e parë të vitit 2026 me të njëjtën periudhë të vitit 2025, diferenca është e qartë.
Në fillim të vitit 2025, importi i naftës ishte rreth 94 milionë euro, ndërsa sivjet ka kaluar në mbi 101 milionë euro, një rritje prej miliona eurosh brenda vetëm një viti.
Ndërkohë, sasia nuk ka ndryshuar në të njëjtin ritëm, duke treguar se qytetarët po paguajnë më shumë para për pothuajse të njëjtin konsum të cilin po e bëjnë.
Sa i përket benzinës, ka një rënie të lehtë: nga rreth 9.6 milionë euro në vitin 2025 në rreth 9 milionë euro këtë vit.

Varësia që kushton qindra miliona
Këto shifra konfirmojnë një fakt të njohur, por shpesh të nënvlerësuar, Kosova mbetet pothuajse plotësisht e varur nga importi i derivateve.
Me mbi 450 milionë euro taksa vetëm nga nafta në vitin 2025 dhe mbi 87 milionë euro vetëm në tre muajt e parë të vitit 2026, derivatet vazhdojnë të jenë ndër burimet kryesore të të hyrave për buxhetin e shtetit.
Në të njëjtën kohë, kjo varësi përkthehet në kosto të lartë për qytetarët, të cilët çdo ditë paguajnë çmime që ndikohen drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare dhe politikat fiskale vendore.
Ndërkohë, lidhur me koston e lartë që po e paguajnë qytetarët për derivatet, për lajmi.net, janë deklaruar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se kanë pranuar disa raportime dhe shqetësime nga qytetarët lidhur me çmimet e derivateve të naftës në Kosovë, të cilat aktualisht janë duke u trajtuar.
Në një përgjigje për lajmi.net, Autoriteti ka theksuar se është duke monitoruar vazhdimisht tregun për të vlerësuar nëse ka elemente të mundshme të shkeljes së ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
“Këto ankesa kryesisht kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve në treg. Autoriteti është duke i trajtuar këto raportime dhe, në përputhje me kompetencat ligjore, po monitoron vazhdimisht tregun për të vlerësuar nëse ekzistojnë elemente të mundshme të shkeljes së ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë, nga Autoriteti i Konkurrencës theksojnë se tregu i derivateve në Kosovë mbetet i hapur dhe konkurrues. Sipas tyre, mbi 80 për qind e ndërmarrjeve nuk aplikojnë çmime të njëjta, çka tregon për një nivel të caktuar konkurrence në treg.
Por si ndryshoi trendi i çmimeve të naftës në Kosovë në mënyrë të frikshme?
Gjithçka u intensifikua edhe më shumë që nga 3 marsi, derisa fillimisht çmimi u ngrit për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindje të Mesme.
Si shumë herë në Kosovë kompani të ndryshme përfituan nga rasti dhe e shtrenjtuan atë shumë më shumë.
Derisa më 3 mars një litër naftë në Kosovë varioi nga 1.33 cent për litër, më 9 mars ajo shkoi deri në 1.55 cent për litër. Situata u rëndua edhe më shumë më 16 mars me 1.68 cent.
E sot kjo situatë u bë thuajse vështirë e tejkalueshme. Çmimi i naftës më 25 mars (sot) në disa prej pikave të derivateve është hiç më pak se: 1.81 cent. Rreziku qëndron se ky çmim mund të bëhet 2 euro e që për kosovarët do të ishte thuajse “fatale” në mënyrë financiare.
Nga Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë më 4 mars vendosën masën për çmimin tavan, që në shumë raste sërish është shumë afër me atë se çfarë edhe po u ofrohet qytetarëve./Lajmi.net/