Për 24 orë vriten pesë ushtarë ukrainas
Pesë ushtarë ukrainas janë vrarë, kurse të paktën 17 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit në lindje të Ukrainës, njoftuan agjencitë e lajmeve të këtij vendi.

Bota
Përfaqësuesi i Shtabit për operacionin kundërterrorist, Aleksej Dmitrashkivski, njoftoi se luftimet në lindje të Ukrainës ndërmjet forcave të këtij shteti dhe separatistëve pro-rusë janë zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit dhe se në të janë vrarë 5 ushtarë ukrainas, transmetoi televizioni Kanal 5.
Sipas fjalëve të tij, tre ushtarë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur nga minahedhësi në punktin kontrollues te qyteti Slloviansk, ndërsa edhe dy ushtarë të tjerë janë vrarë dhe tetë janë plagosur me rastin e sulmit të separatistëve pro-rusë ndaj një konvoji ukrainas në rajonin Llugansk.
Në një rast tjetër të ndarë, pesë ushtarë ukrainas janë plagosur kur autoblinda e tyre ka hasur në një minë në rrugë.
Dmitrashkovski shtoi se forcat pro-ruse gjatë operacionit special kundër tyre kanë humbur 145 pjesëtarë, ndërkohë që 312 janë plagosur.
Të premten në mbrëmje ka skaduar afati i armëpushimit, por presidenti ukrainas Petro Poroshenko e ka vazhduar ndërprerjen e zjarrit edhe për 3 ditë, deri në mesnatën e së hënës.