Peja rrezik t’i ikë nga duart, LDK-ja shpreson në bastionin e vjetër

Fotografia gjigante e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, tash e shumë kohë është vendosur në Pejë. Përveç ndërrimit që i bëhet Rugovës, kjo ndoshta edhe për të treguar lidhjen e këtij qyteti me LDK-në.

Lajme

12/02/2021 19:14

LDK-ja vazhdon të jetë e bindur në votat e pejanëve për këtë subjekt edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit. Por, mendimet e qytetarëve të Pejës janë të ndryshme, sa i përket se cila parti mund të marrë më shumë vota në qytetin e tyre, raporton lajmi.net.

Luhatje të votës së LDK-së në Pejë kishte nga zgjedhjet në zgjedhje. Në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 LDK-ja në Pejë kishte marrë 32%. Por, në zgjedhjet paraprake, ato të vitit 2017 primatin në Pejë e kishte marrë koalicioni PDK, AAK , Nisma me 36.99%, ndërsa LDK-ja kishte mbet e dyta me 33.55%. Në vitin 2014, LDK-ja kishte arritur të marrë 29.95% të votave të pejanëve.

Pavarësisht ndryshimit të votës në të kaluarën, LDK-ja vazhdon të ketë bindje se Peja nuk do ta zhgënjejë. Kandidatja e LDK-së për deputete nga Peja, Besa Gaxherri mendon që votuesit nga ky qytet do ia besojnë votën partisë së saj, pavarësisht se sheh rritje të Vetëvendosjes në këtë qytet.

“Mund të ketë Vetëvendosja rritje në Pejë. Por, në Pejë funksionojnë gati të gjitha partitë politike. Ne po e bëjmë punën dhe matjen tonë, po jemi çdo ditë me qytetarët. LDK-ja nuk ka lëvizë nga pozicionet e saj. Vetëvendosja mund të marrë vota nga partitë tjera politike. Nuk e mohoj që mund të ketë rritje ose mund të ketë rritje ndonjë parti tjetër dhe kjo do të vërtetohet më 14 shkurt. Por, ne jemi shumë të sigurtë që në Pejë do të jemi partia e parë politike”, ka thënë ajo për lajmi.net.

YouTube player