Peja ka drejtor të konviktit, ani pse s’ka konvikt
Në listat e pagesave në Komunën e Pejës ekzistojnë emra të personave, posti i të cilëve nuk kërkon asnjë obligim a angazhim nga ana e të punësuarit.

Lajme
I tillë është rasti me ‘drejtorin e konviktit’ i cili ende figuron në listat e pagesave, ani pse konvikti nuk shfrytëzohet si i tillë që nga paslufta, bile, tashmë edhe objekti i tij është rrënuar në tërësi.
KosovaPress mëson se Xhavit Alimusaj është emëruar si drejtor i konviktit të Pejës diku rreth vitit 2005, ani pse në atë kohë objekti i konviktit shfrytëzohej si strehimore për skamnorët.
Sot e atëherë ai figuron në listat e pagesave në këtë komunë si drejtor i konviktit.
As objekt të konviktit s’ka, e edhe kur ka pasur s’ka qenë konvikt por strehimore, por ‘drejtor konvikti’ ka pasur gjithmonë, me ose pa studentë të vendosur aty.
Komuna e Pejës fajin për këtë e bartë tek Ministria e Arsimit, derisa kjo e fundit thotë se në vitin 2013 drejtorët e konvikteve u janë bartë komunave, me një memorandum mirëkuptimi mes MAShT-it dhe komunave.
KosovaPress ka kontaktuar drejtorin e Drejtoratit për Arsim në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, i cili ka pranuar se ende ekziston ‘drejtori i konviktit’.
Por, sipas tij, ai është emëruar nga Ministria e Arsimit dhe se Komuna e Pejës nuk ka ndonjë obligim ndaj tij, njëjtë si ai ndaj komunës.
Për këtë, Avdimetaj ka dhënë një sqarim të shkurtë përmes telefonit.
“Për gjithë këtë duhet të kontaktoni në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë. Ministria e ka sjell atë këtu në pozitën e drejtorit. Ka thënë se ai do të paguhet deri në fund të vitit 2014 për pozitën e drejtorit të konviktit. Është punë e vazhdueshme nga qeverisja e kaluar në Pejë. Ne nuk kemi asnjë obligim ndaj tij e as ai ndaj Komunës së Pejës”, ka thënë ai.
E zyra për informim në këtë komunë, nuk e di se ç’po ndodhë me administratën e saj.
KosovaPress i është drejtuar Komunës së Pejës për të mësuar rrjedhën e vazhdimit të kontratës së këtij personi, derisa konvikti është rrënuar në tërësi, por fillimisht ata as nuk ishin në dijeni për një gjë të tillë.
Engelbert Zefaj, zëdhënës për informim në këtë komunë, duke mos e njohur fare ‘drejtorin e konviktit’, fillimisht për këtë çështje fajin e lë tek qeverisja e kaluar duke thënë se ata kanë dhënë paga pa kërkuar të kryejnë ndonjë obligim personat e punësuar.
“Këto janë ato mashtrimet që kanë ndodhur në qeverisjen e kaluar ku kemi pasur pozita fiktive, thjeshtë i kemi ushqyer militantët me paga, kinse po punojnë por nuk është bërë asnjë punë. Nuk e din ndonjë qytetarë që nga 99’a deri më sot që ai konvikt s’ka qenë konvikt, ai ka qenë një strehimore ku ka sjellë infektime qytetarëve, njerëzve të pastrehë, që janë vendosë aty pa ndonjë kontrollë, pa ndonjë menaxhim, pa ndonjë rregull, më vjen keq ta them por kanë jetuar si kafshë aty sepse nuk ka pasë asnjë kusht elementar për të jetuar aty” ,ka thënë ai.
Duke u sqaruar që personi në fjalë po gjendet në listat e pagesave edhe këtë vit, në kohën e qeverisjes së Gazmend Muhaxherit të LDK-së, Zefaj ka sqaruar rastet në të cilat dikush mund të emërohet për një post por të punojë diçka tjetër që ta arsyetojë atë.
“Procesi i menaxhimit me resurset njerëzore,mund të ketë promocione të brendshme ose mund të ketë edhe pranime të jashtme. Kështu që rotacioni i punëtorëve të komunës është diçka shumë legjitime. Në qoftë se XhavitAlimusaj është duke marrë pagë aty dhe nuk ka punë për të kryer, me siguri që drejtori, shefi i tij përkatës do të kujdeset që atij t’i sigurojë një vend ku ai do të kontribuoj dhe ta meritojë pagën e tij dhe mos të rrijë kot, për momentin nuk kam informatë se a është duke punuar XhavitAlimusaj, duke kryer ndonjë punë apo jo”, ka thënë ai.
E nga Ministria e Arsimit nuk është marrë ndonjë sqarim për këtë problem.
Ky institucion ka dhënë një përgjigje shumë të shkurtë ku vetëm sqaron se drejtorët e konvikteve të komunave nuk janë më nën përgjegjësinë e MAShT’it.
Thonë se ata u janë bartur komunave në vitin 2013.
“Z. Alimusaj në vitin 2005/2006 është pranuar drejtor i konviktit ne Pejë. Ne vitin kalendarik 2013/14 drejtorët e konvikteve me një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe komunave u janë bartë komunave”, ka shkruar Arbër Morina, këshilltar i Ministrit të Arsimit, Ramë Buja.
Ndërtesa e planifikuar për konvikt të studentëve në Komunën e Pejës nuk funksionon si e tillë që nga paslufta.
Më vonë aty kanë filluar të qëndrojnë disa njerëz të moshuar të cilët kanë qenë të pastrehë.
E pastaj qeverisja e LDK-së ka marrë vendim që ta rrënojë atë ndërtesë për shkak se e ka konsideruar të rrezikshme për shëndetin, duke e parë se aty po krijohet papastërti e madhe.
Emërimi i personit në fjalë si drejtor i konviktit është bërë në kohën kur kjo ndërtesë ka shërbyer si strehimore e për të cilën është pritur të kthehet në konvikt.
E tani, siç duket, qeverisja e tashme e ka vazhduar rrjedhën e kësaj marrëveshje, ani pse ajo ndërtesë nuk është më as konvikt e as strehimore sepse është rrënuar e gjitha, raporton KosovaPress.