Peci “shkrihet” pas Kurtit – Kryeministri në detyrë lavdërohet në arat me grurë, ndërsa qytetarët përballen me çmimet e larta të bukës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur fushatën e korrje-shirjes duke vizituar fshatin Sopijë të Therandës, ku tha se këtë vit janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin e kaluar. Në një postim në Facebook, Kurti shfaqet pranë fushave të grurit bashkë me ministrin Faton Peci, duke theksuar rritjen…

Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur fushatën e korrje-shirjes duke vizituar fshatin Sopijë të Therandës, ku tha se këtë vit janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin e kaluar.
Në një postim në Facebook, Kurti shfaqet pranë fushave të grurit bashkë me ministrin Faton Peci, duke theksuar rritjen e mbjelljeve dhe kontributin e fermerëve që kanë përfituar nga subvencionet e shtetit.
Por, teksa Kurti përgatitet për korrje-shirje dhe paraqet shifra rekorde, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me çmime të larta të produkteve bazë, përfshirë bukën, e cila në shumë qytete ka pësuar rritje të konsiderueshme çmimi muajt e fundit. Mungesa e kontrollit efektiv të tregut dhe moszbatimi i premtimeve për ulje çmimesh ngre pikëpyetje për prioritetet e qeverisë në prag të përfundimit të mandatit të saj, transmeton lajmi.net.
Postimi i plotë:
Fushatën e korrje-shirjes po e nisim me një rekord të ri: sivjet kemi mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin e kaluar.
Me ministrin Faton Peci, u rikthyem në fshatin Sopijë të Therandës. Aty na mirëpriti fermeri Xhemë Beqiraj që ka të mbjellë 25 hektarë grurë. Me punën e zellin e tij, dhe me mbështetjen që e ka marrë nga shteti përmes subvencioneve dhe granteve, tokën që për një kohë të gjatë ishte djerrinë, e ka kthyer në fushë të artë me grurë, që nesër të jetë bukë në sofrën tonë.
E përveç grurit ka edhe mbi 11 hektarë të mbjellë me bostan e pjepër. /lajmi.net/