“Peceta nuk është luks” – “QIKA” proteston para qeverisë, kërkon heqjen e TVSH-së për pecetat menstruale
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka hedhur peceta menstruale para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar përmes këtij veprimi heqjen e menjëhershme të tatimit mbi vlerën e shtuar për këto produkte. QIKA ka deklaruar se, për shkak të pamundësisë për të përdorur mjete të përshtatshme, gratë shpeshherë detyrohen të përdorin materiale të…

Lajme
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka hedhur peceta menstruale para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar përmes këtij veprimi heqjen e menjëhershme të tatimit mbi vlerën e shtuar për këto produkte.
QIKA ka deklaruar se, për shkak të pamundësisë për të përdorur mjete të përshtatshme, gratë shpeshherë detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin e tyre gjatë ciklit menstrual.
Sipas kësaj organizate, shteti po vazhdon të heshtë përballë kësaj situate.
“Shteti e shikon varfërinë e grave si çështje të dorës së dytë. Në vend që të sigurojë qasje pa barriera në peceta dhe tampon, i detyron gratë të paguajnë 18% tatim për to, një normë që aplikohet për produkte joesenciale. Qeveria nuk po vepron as në përputhje me vullnetin qytetar. 7 mijë e 500 qytetarë të Kosovës e nënshkruan peticionin e udhëhequr nga QIKA në vitin 2023 ‘Peceta nuk është luks”, kanë deklaruar nga kjo organizatë.
Ndërsa 71 organizata të shoqërisë civile, në bashkëpunim me Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), kanë drejtuar një thirrje publike institucioneve shtetërore për të hequr menjëherë TVSH-ën dhe tarifat doganore për produktet menstruale.
“Sot në Ditën Botërore të higjienës menstruale në shkallët e Qeverisë së Kosovës hodhëm peceta menstruale të mbështjella me gazeta për t’ju bërë me dije se stigma nuk vjen vetëm nga shoqëria. Stigma menstruale po mirëmbahet edhe përmes politikave shtetërore”.
“Kjo taksë është pengesë për gëzimin e së drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë. Është shkelje e të drejtave të njeriut e rrjedhimisht edhe kundërkushtetuese”, kanë thënë nga QIKA pas aksionit.
Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga mbi 7 mijë 500 qytetarë, të cilët kanë nënshkruar peticionin “Peceta nuk është luks”.