PE premton përkrahje për integrimin e Kosovës

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin ka diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës.

Lajme

10/04/2015 18:36

Ministri Çollaku ka falënderuar Wieland për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian, po i ofron Kosovës e sidomos në procesin e integrimit evropian, duke qenë një prej institucioneve më përkrahëse në këtë drejtim.

Po ashtu e ka njoftuar me hapat të cilët po ndërmerr Kosova në këtë proces dhe synimet që brenda këtij viti të vendos marrëdhënie kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të MSA-së, si dhe të përmbyll me sukses dialogun për liberalizimin e vizave.

“Pasi që të nënshkruhet Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të kalojë për miratim në Parlamentin Evropian. Ky institucion ka rolin e vetë edhe në pjesën përfundimtare të procesit të liberalizimit të vizave. Kur është fjala tek ky institucion, këto procese pritet të mbështeten duke e marrë parasysh traditën e mbështetjes së plotë të procesit integrues në BE të Republikës së Kosovës nga ana e Parlamentit Evropian”, ka shtuar ministri.

Kurse zëvendëspresidenti Wieland, ka ofruar mbështetje në lidhje me agjendën evropiane  të Kosovës si dhe ka inkurajuar që të vazhdohet me reformat e nevojshme që lidhen me procesin integrues.