PDK sërish kërkon takim të grupeve parlamentare në prag të seancës konstituive
Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare. “Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit…

Lajme
Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.
“Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri”, tha Krasniqi për media.
Ai theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.
PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.
Seanca, që pritet të nisë në orën 11:00, do të vazhdojë aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të tëndit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Kuvendit dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re.
Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për ta konstituuar Kuvendin që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.
Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i ka hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse në Kuvend, pamjaftueshëm për ta zgjidhur kryeparlamentarin pa ndihmën e partive kundërshtare.
Nuk është e qartë se ka vullnet nga partitë e tjera për ta votuar ndonjërin prej kandidatëve të Vetëvendosjes në takimin e sotëm.
Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha më 24 gusht se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.
Si nisi ngërçi politik?
Seanca konstituive nisi më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike mes partive politike, pasi asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.
Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.
Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.
Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.
Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.
Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.
Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.
Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.
PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.