PDK: Qeveria Kurti e paaftë dhe pa ide për të qeverisur, të rritet paga minimale dhe të miratohet Ligji i Pagave
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, punëtorët e sektori privat dhe atyre publik.
Lajme
Bernard Nikaj nga PDK, deklaroi se Qeveria e Kosovës e konfirmoi sërish para qytetarëve se është e paaftë për të qeverisur vendin.
“Kryeministri po e dëshmon se ai dhe ministrat e tij s’kanë asnjë ide për të drejtuar vendin dhe për të plotësuar nevojat e qytetarëve.Krejt çfarë di të bëjë ai është populizmi. Pasi ua rriti çmimet dhe pasi nuk po arrin të kontrollojë normën e çmimeve, Qeveria e nisi ditën sot me një tentim për të mashtruar qytetarët përmes një lëmoshe as më shumë e as më pak prej 100 euro.Ky vendim shpërfaqë mungesën për çfarëdo vendimi fiskal e social.”, tha Nikaj, transmeton lajmi.net.
Poashtu ai theksoi se qytetarët kanë nevojë për dorën e shtetit, por nuk mund të kalojnë krizën në këtë mënyrë.
Duke e cilësuar këtë vendim si ndihmë sociale që do të jepet vetëm për muajin prill, Nikaj ka shtruar pyetjen se çfarë do të bëjnë qytetarët në muajin maj.
“Në këtë kohë krize, qytetarët kanë nevojë për dorën e shtetit dhe çdo ndihmë është e mirëseardhur, por fatkeqësisht nuk mund ta përballojnë krizën e çmimeve me lëmosha qeveritare. Kjo qeveri, që karakteristikë kryesore ka paaftësinë, nuk ka as planfikim, as vision, as streategji dhe nuk ofron zhvillim. Të gjitha këto mundohet që t’i kompensojë përmes vendimeve te momentit e qe me shume ngjajne në lëmoshë sesa në veprime të menduara e afatgjate që adresojnë nevojat e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës do të jenë këtu edhe muajt tjerë, pas prillit, dhe çmimet enorme që u rritën gjate muajve te fundit do të vazhdojnë të mbesin të larta.”, shtoi Nikaj.
PDK vlerëson se zgjidhja më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim është miratimi i ligjit të pagave dhe rritja e pagës minimale. Dhe përderisa kjo të mos bëhet PDK vlerëson pakoja prej 100 eurove duhet të vazhdojë për të gjithë punëtorët.
“Sot që po flasim jemi në mes të muajit të katërt të këtij viti dhe kjo qeveri ende nuk e ka nisur asnjë projekt të zhvillimit ekonomik apo ndonjë investim kapital. Ky vendim i kryeministrit populist e ka një qëllim të vetëm, të përpiqet të ndalojë pakënaqësitë e mëdha qytetare që janë akumuluar muajt e fundit nga mospuna e Qeverisë. Por, qytetarët e Kosovës tanimë e kanë kuptuar populizmin dhe nuk bien më në kurthin e tij i cili po e dëshmon çdo ditë se nuk di të qeverisë dhe nuk ka vizion për zhvillim ekonomik të vendit.”, tha ai./Lajmi.net/
![]()