PDK prezanton Jetmir Prekallën si kandidat për Kryetar të Deçanit

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot Jetmir Prekallën si kandidatin e ri për Kryetar të Komunës së Deçanit, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kandidaturës së mëhershme të Korab Mushkolajt. Në një takim të mbajtur në selinë qendrore të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi priti si Mushkolajn, ashtu edhe Prekallën, duke…

Lajme

02/09/2025 19:27

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot Jetmir Prekallën si kandidatin e ri për Kryetar të Komunës së Deçanit, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kandidaturës së mëhershme të Korab Mushkolajt.

Në një takim të mbajtur në selinë qendrore të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi priti si Mushkolajn, ashtu edhe Prekallën, duke falënderuar publikisht Mushkolajn për angazhimin dhe përkushtimin e tij për të garuar në këto zgjedhje, transmeton lajmi.net.

“Faleminderit Korabit për gatishmërinë dhe përkushtimin për të qenë kandidat për Kryetar të Deçanit. Fatkeqësisht, kandidatura e tij nuk u certifikua nga KQZ për shkak të kufizimeve ligjore,” tha Krasniqi.

Si rrjedhojë, PDK ka përzgjedhur Jetmir Prekallën, i cili vjen nga një sfond akademik. Ai ka përfunduar studimet master në Inxhinieri Agroushqimore dhe Teknologji Agroushqimore, është asistent profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” dhe është në proces të doktoraturës.

Kryetari Krasniqi i dha mbështetjen e plotë Prekallës, duke theksuar angazhimin e PDK-së për të ofruar një qeverisje lokale të përgjegjshme, zhvillimore dhe me vizion të qartë për qytetarët e Deçanit.

“PDK do të qëndrojë fuqishëm përkrah kandidatit tonë dhe ekipit në Deçan për t’i ofruar kësaj komune një drejtim të ri, me fokus në zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët,” deklaroi Krasniqi./lajmi.net/