PDK në Kaçanik me kandidat të ri, VV e LDK ende nuk i kanë zyrtarizuar

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me datën 12 tetor. Kjo datë u vendos nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas konsultimeve partitë politike, shkruan lajmi.net Partitë tashmë kanë filluar të zyrtarizojnë kandidatët për kryetar nëpër komuna. Në komunën e Kaçanikut udhëheq PDK-ja me Besim Ilazin. Por, ky i fundit nuk do të kandidoj…

Lajme

12/06/2025 19:52

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me datën 12 tetor.

Kjo datë u vendos nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas konsultimeve partitë politike, shkruan lajmi.net

Partitë tashmë kanë filluar të zyrtarizojnë kandidatët për kryetar nëpër komuna.

Në komunën e Kaçanikut udhëheq PDK-ja me Besim Ilazin. Por, ky i fundit nuk do të kandidoj në zgjedhjet e 12 tetorit.

PDK ka vendosur që të kandidojnë Sabedin Vishën, që e ka rolin e nënkryetarit në këtë komunë.

Ai në një prononcim për lajmi.net e ka konfirmuar këtë.

“Po, këshilli drejtues i PDK-së dega në Kaçanik ka vendos që të jem kandidat për kryetar në Kaçanik.”, tha ai.

VV që përfundoi e dyta në këtë komunë ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj me Jeton Rakën, që ishte kandidat i VV-së në zgjedhjet e fundit, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

As LDK-ja ende nuk e ka bërë të ditur se kush do të jetë kandidat. Lajmi.net kontaktoi me Korab Krasniqin, kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë.

Ai tha se diskutimet për kandidat kanë filluar por ende nuk kanë dal me një emër konkret.

“Momentalisht ne si degë e LDK-së në Kaçanik jemi duke u marrë intenzivisht me përpilimin e listës me kandidatët për asamble komunale. Sa i përket emrit konkret për kandidatë për kryetar të komunës, kemi filluar diskutimet, mirëpo ende nuk kemi dal me një emër konkret. Javët në vazhdim e definojmë besoj.”, tha Krasniqi.

KQZ dje në një mbledhje vendosi që fushata do të filloj nga data 13 shtator e do të vazhdoj deri më 12 tetor.

Po ashtu nga KQZ është njoftuar edhe se partitë kanë kohë të deklarohen për formimin e koalicioneve nga data 9 qershor, deri me 23 qershor.

Ndërsa afati për aplikimin e partive politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve është nga 26 qershor deri me 13 gusht./lajmi.net/