PDK merr aprovimin e degëve për koalicion me LDK-në

Kryetarët e degëve të PDK-së, e mbështetën unanimisht Koalicionin e PDK-së me LDK-së, për themelimin e institucioneve.

Lajme

21/11/2014 13:41

“Izën” për koalicion e ka marr edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo është bërë pas aprovimit të degëve të kësaj partie, për të vazhduar procesin e formimit të koalicionit qeverisës me LDK-në.

Ky aprovim u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes politike në mes të liderëve të këtyre dy partive, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Kjo thuhet në një komunikatë për media të dërguar nga ky subjekt politik.

Më tej, shkruan se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi mbajti mbledhjen e rregullt me kryetarët e degëve të PDK-së, lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë.

Sipas komunikatës, Thaçi i njoftoi kryetarët e degëve për arritjen e marrëveshjes për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për themelimin institucioneve të Kosovës.

“Kryetarët e degëve i dhanë përkrahje unanime arritjes së koalicionit ndërmjet dy forcave politike, që garantojnë stabilitet politik dhe perspektivë evropiane për Kosovën”, thuhet në komunikatë.